AAK në mbrojtje të dekretit të Osmanit, kërkon nga LVV-ja mos t’i bëjë presion Kushtetueses
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit të zgjedhjes së presidentit është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tyre, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ndalë sulmet dhe presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese. Nga partia e Ramush Haradinajt kërkojnë që e gjithë opozita të bashkohet pa shikuar ideologjinë politike djathtas apo majtas por të ndërtojnë një platformë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të enjten tha se i kanë dërguar komentet e tyre në Kushtetuese në mbrojtje të dekretit të presidentes Vjosa Osmani.
Ai kritikoi eksponentë të LVV-së që sipas tij po bëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, një ditë pasi deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, kërkoi nga ambasadorët që mos t’u shkojnë në takim institucionit më të lartë juridik në vend.
“Për ne është bërë krejt e qartë, e thjeshtë, në qoftë se ka drejtësi dhe trajtohet aspekti meritor, atëherë neni 86, pika 2, është i qartë, i qartë sikur loti, i pastër si loti. Thotë, 30 ditë para se t’i përfundojë presidentes afati i saj në zyrë, duhet të ketë zgjedhje. Çfarëdo trajtimi tjetër është rrethanor. Një çështje tjetër shumë problematike për ne lidhet drejtpërdrejt me mendësinë e Lëvizjes Vetëvendosje për të sulmuar institucionet e pavarura. Qysh mund të dalë një përfaqësues i popullit, një parti që ka 50% dhe ta sulmojë institucionin e pavarur, Gjykatën Kushtetuese, të tentojë të ndikojë politikisht, duke shkuar aq lart duke thënë se disa ambasadorë po duan me e shkatërruar Gjykatën Kushtetuese. Jo bre burrë, ata që e kanë ndërtuar e ata që e kanë ndihmuar nuk e shkatërrojnë. E shkatërroni ju që doni të keni ndikim politik”, tha ai.
Tahiri e ka konsideruar të nevojshëm bashkimin opozitar në zgjedhjet e mundshme parlamentare.
“Ajo që kisha thënë për një bashkim të opozitës në fillim, është si bukur shumë, është vonuar opozita për të qenë e bashkuar në platformat e veta politike. Dhe unë mendoj që çfarëdo bashkimi që duhet të ndodhë karshi këtij pushteti, duhet mos të ketë vetëm profil politik, e djathtë e majtë, po duhet të ketë vizion shtetëror, se si me i dalë në një situate, një katrahure e cila ka kapluar këtë shtet. Diskutimi për garën zgjedhore është tjetër. Ne as atëherë nuk kemi qenë kundër, as tash nuk jemi kundër. Ne mendojmë që para petkut tonë partiak, para petkut tonë ideologjik, është ky shtet, është ky institucion. Unë mendoj përderisa nuk ka këtij mendimi, opozita është e dobët. Opozita nuk duhet me u frikësu me u bashku krejt. Me u bashku me një platformë, jo me një ideologji politike, po me një platformë çka don t’i prodhojë këtij shteti në katër vjet të ardhshme. A kuptoni që derisa po flasim, bllokada e shtetit është ka prodhon varfëri të skajshme, pasiguri serioze dhe mbi të gjitha, rrezikim të shtetit të Kosovës. Andaj, ne jemi vonë me këtë. Diskutimi duhet me shku përtej profilit djatht-majt”, shtoi Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së akuzoi LVV-në që e ka sjellë Kosovën buzë kolapsit, pasi sipas tij e njëjta nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional.“Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, vendi, shteti ynë, Republika e Kosovës, është në situatën më të rëndë në post-pavarësi, në një ndër krizat më të thella, me shumë të panjohura, duke e sjellë shtetin në një rrethanë ku për mbi një vit, tani kemi hyrë në vitin e dytë, vazhdon një eksperimentim i betejave në letër ligjore dhe kushtetuese dhe mosfunksionimit të shtetit dhe të qeverisë për funksionet që duhet t’i ushtrojë para qytetarëve të Kosovës. Kosova sot është në bllokadë, ndërsa qeveria është jofunksionale, shteti është jofunksional. Ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit, në mungesë të investimeve, edhe të sektorit publik, po edhe të huaja dhe në një bllokadë janë ndërmarrjet dhe korporatat të cilat kanë probleme serioze deri tek falimentimi i tyre dhe përjashtimi i punëtorëve nga puna dhe mosdhënies së pagave. Paramendoni, që dy palë zgjedhje i fiton Lëvizja Vetëvendosje me 51% dhe nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional për shkak se është e pangopshme dhe dëshiron që ta merr edhe institucionin e presidentes”, theksoi Tahiri.
Pjesë e konferencës për media ishte edhe deputeti tjetër i AAK-së, Bekë Berisha, i cili kritikoi ekzekutivin, siç tha ai, për kushtet e mjerueshme të Policisë së Kosovës.
“Pamjet e fundit që i kemi parë në kampet e policisë së Kosovës, sidomos ato në Mitrovicë, por edhe gjithkund, janë të mjerueshme, janë të tmerrshme. Jemi në një situatë më të rëndë që kemi qenë ndonjëherë, sidomos në aspektin e sigurisë, duke parë se çka po ndodh edhe përreth nesh. I kisha lutur këtë lloj qeverie që nuk po don me qeverisë, që i ka krejt numrat e i ka buxhetin e të gjitha, mos të bëjnë lojëra sidomos me këtë sektor. Policinë, ushtrinë edhe inteligjencën. Ju e keni parë që ndahet buxhet, mirëpo nuk kryhen punët kurrë. Gjendja është e keqe. Do të rrimë kujdestarë edhe do të shikojmë se çka po ndodh me atë sektor. Edhe i kisha lutur që mos të bëjnë lojëra. Ka marrë fund më populizmi, ka marrë fund më rren e dallaveret. Policia e Kosovës është në gjendje të keqe, për mos me thënë që s’kanë as uniforma e as veshmbathje”, përfundoi Berisha.
