Ish-zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, ka paralajmëruar se SHBA s’do të jetë e involvuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, siç ka qenë përgjatë 30 viteve të fundit.

Kjo sipas Reeker, vlen edhe kur bëhet fjalë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Diplomati amerikan që e njeh mjaftë mirë rajonin dhe Kosovën, ka thënë se ka një dialog që drejtohet nga Bashkimi Evropian dhe se tashmë negociatat po i ndërmjetëson një diplomat i shkëlqyer si Peter Sorensen.

“Ajo që kemi parë me ardhjen në detyrë të Presidentit Trump është, para së gjithash, se Amerika është e para, fokusi i saj transaksional, dhe ka shumë sfida të tjera në botë në të cilat presidenti dhe sekretari i shtetit duhet të përqendrohen. Ambasadat tona janë këtu, ato do të mbeten të angazhuara. Kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, kishte diçka të quajtur dialog. Ai ende ekziston. Unë mora pjesë në të, duke mbështetur përpjekjet e BE-së. Kjo është Evropa. BE-ja ka bërë përpjekje të mëdha dhe vazhdon ta bëjë këtë. Peter Sorensen është një diplomat jashtëzakonisht i mirë i cili mendoj se do të japë çdo mundësi për të punuar për këtë. Keni zgjidhje. Keni marrëveshje që janë bërë dhe nuk janë mbajtur. Punoni për këtë. Përcaktojeni vetë. Çfarë lloj të ardhmeje dëshironi”, ka thënë Reeker për Kosovo Online, transmeton Express.

Kur u pyet për mungesën e rezultateve në dialog, Reeker thotë se s’është faji i SHBA-së dhe se Uashingtoni s’ka çfarë të bëjë. Ai ka thënë se në diplomaci, ose i respekton marrëveshjet e arritura ose propozon ide të reja dhe se s’mund të mbështetesh te të tjerët që bëjnë gjithçka për ty.

“Nuk është faji i SHBA-së, është faji juaj dhe ne duhet të shqyrtojmë se çfarë të bëjmë. Nëse arrihet një marrëveshje, ajo duhet të respektohet. Ose – të dalim me ide të tjera. Kjo është diplomaci. Nuk mund të mbështetesh te të tjerët që të bëjnë gjithçka për ty. SHBA-të kanë qenë të përfshira për shumë vite dhe ne nuk po largohemi, thjesht po themi se kemi përparësi të tjera”, ka thënë Reeker./GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë