Guerot Osmanit: Të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje, gazetarët të mbrohen – shpresë se pas 28 dhjetorit do te formohet qeveria
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka njoftuar përmes një postimi në X se ka zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani, ku është diskutuar situata politike dhe zhvillimet para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai ka theksuar rëndësinë që të gjitha subjektet politike të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje, në mënyrë që procesi të jetë plotësisht gjithëpërfshirës. Sipas tij, mediat e lira dhe puna e gazetarëve janë shtylla kyçe të një demokracie funksionale dhe duhet të respektohen e mbrohen kur është e nevojshme.
Guerot tha se Franca pret që zgjedhjet e 28 dhjetorit të prodhojnë një qeveri të re, me të cilën Parisi synon të thellojë bashkëpunimin dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal.
“Na duhet një partner i plotë për të kontribuar në stabilitetin në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe”.
Ai gjithashtu informoi se Franca është e gatshme të mbështesë Kosovën në tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, procesin e anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, si dhe në zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.
https://x.com/Olivier_Guerot/status/1996958096124432512?s=20
