LAJMET

Takimet e Costas me liderët e Ballkanit, Osmani i kërkon heqjen e plotë të masave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat

Presidentja Vjosa Osmani është pritur nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, António Costa, në Bruksel ku shkoi për të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Ajo tha se në këtë takim me Costan ka kërkuar heqjen e plotë të masave ndëshkuese edhe pse tha se  “mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi”.

Po ashtu, Osmani ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të 2022-ës, por dosja e saj s’ka lëvizur aspak që nga ky vit./Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *