“Të jesh Vetvetja – Në mes Artit Skenik dhe Letërsisë” bashkon artin dhe fjalën në Prishtinë
Në ambientet e librarisë Book World në Prishtinë u mbajt eventi kulturor “Të jesh Vetvetja – Në mes Artit Skenik dhe Letërsisë”, një aktivitet që solli përballë publikut dashamirës të artit një diskutim të hapur mbi identitetin artistik, rolin e vetvetes në krijimtari dhe raportin mes artit skenik dhe letërsisë, raporton Vendisot.info
I ftuar special i mbrëmjes ishte artisti dhe autori shqiptar Xhevat Limani, i cili ndau me të pranishmit përvojën e tij krijuese dhe reflektime mbi rrugëtimin artistik, duke theksuar rëndësinë e autenticitetit në shprehjen skenike dhe letrare. Përmes diskutimeve dhe bashkëbisedimeve, publiku pati mundësinë të eksplorojë dimensione të ndryshme të të qenurit vetvetja në art, si sfidë personale dhe si vlerë kulturore.

Ngjarja u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe ndërshqiptare. Përveç audiencës nga Kosova, në këtë event morën pjesë edhe artdashës dhe krijues nga Ulqini, Tetova, Shkupi dhe Tirana, duke i dhënë aktivitetit një dimension më të gjerë kulturor dhe duke dëshmuar interesimin e përbashkët për artin dhe letërsinë shqipe përtej kufijve.
Përfaqësuesja e librarisë Book World, Kimete Arifaj, në një prononcim për Vendisot.info, theksoi se eventi kishte fokus krijimin e një atmosfere kritike dhe reflektuese mes audiencës letrare.
“Fokusi i këtij eventi ishte të nxisë diskutimin mbi të qenurit vetvetja në veprimtarinë e artit skenik dhe letrar, duke hapur hapësira për dialog të drejtpërdrejtë mes artistëve dhe publikut”, u shpreh ajo.

Sipas organizatorëve, ky aktivitet u mbajt për herë të parë në Kosovë me synimin për të thyer barrierat mes artit skenik, letërsisë dhe audiencës. Eventi u shndërrua në një hapësirë të hapur diskutimi, ku publiku pati mundësinë të shkëmbejë pyetje, kritika dhe përvoja personale mbi botëkuptime të ndryshme, të cilat në thelb kanë promovimin e vlerave kulturore dhe artistike të letërsisë shqiptare.

Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë, interaktive dhe frymëzuese, duke dëshmuar se iniciativa të tilla kulturore kanë potencial të madh për të forcuar lidhjen mes artit dhe komunitetit, si dhe për të nxitur mendimin kritik./Vendisot.info/


