Osmani pasi votoi: E bindur që partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara në mënyrë që të kemi institucione funksionale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me Zotëriun e Parë, Prindon Sadriu, kanë votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.
Pasi ushtroi të drejtën e saj për votë, Osmani u deklarua para mediave.
“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta, demokratike, uroj që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve me të drejtë vote. Si gjithnjë zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik, ku vendimmarrja kthehet te qytetarët tanë dhe shpresoj që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të parlamentit dhe zgjedhje të qeverisë që janë të domosdoshme për procese të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë.”
“Ky ka qenë mesazhi im gjatë tërë kohës dhe menjëherë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor jam e bindur që të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara në mënyrë që të kemi institucione funksionale, stabile dhe me legjitimitet të plotë që do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve dhe Republikës”, shtoi ajo. /Express/
