LAJMET

Burim Ramadani: Hyra në garë për ta ndihmuar Ramushin, jam falënderues për rreth 15 mijë vota të fituara pavarësisht rezultatit

Kandidati për deputet i AAK-së, Burim Ramadani, ka falënderuar votuesit e tij pavarësisht se nuk arriti të merrte votat e nevojshme për një ulëse në Parlamentin e Kosovës.

“Rreth 15 mijë vota të fituara nga populli i Kosovës jo vetëm që më bëjnë të lumtur, por edhe shumë falënderues. Vota për mua është besim dhe besimin e konsideroj si të shenjtë. Hyrja në këtë garë nuk ishte një vendim i lehtë për mua. Ishte një vendim për të sakrifikuar profilin tim publik, të cilin e kam ndërtuar tash e shumë vjet. Këtë e bëra për ta ndihmuar Ramushin në këtë garë shumë sfiduese për të. Pa marrë parasysh rezultatin, ndihem mirë që kam bërë këtë veprim”.

Ai tha se vizioni dhe idetë e tij për sigurinë “janë përfshirë plotësisht në Programin e Aleancës, politika publike për të cilat flas dhe kam lobuar kurrë pa ndalur”.

Ramadani tha se mbetet sërish në këto ide, veçanërisht:

– Kosova duhet ta përgatis rininë nga mosha 18-25 vjeç në stërvitje me Ushtrinë, Policinë, Zjarrfikësit dhe Emergjencat.

– Duhet të ndërtohen Strehimoret në çdo komunë.

– Duhet të ndërtohet platforma kombëtare në Siguri dhe Mbrojtje Kibernetike, si dhe të nxjerret Ligji kundër Kërcënimeve Hibride.

– Buxheti për mbrojtje gjithsesi duhet të arrijë 4% të GDP.

– Duhet bërë sigurimi shëndetësor për Policinë, Ushtrinë, Zjarrfikësit dhe Emergjencat.

Kosova duhet të përgatitet për kriza të sigurisë, jo vetëm institucionet, por populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *