Prokuroria në Prizren vazhdon “hetimet e zgjeruara” ndaj grupit të dytë të të dyshuarve për manipulimin e votave
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se lidhur me dyshimet për manipulim të votave po vazhdojnë hetimet e zgjeruara për grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
Prokuroria shton se pas intervistimit të të dyshuarve do të lëshojnë komunikatë me detaje shtesë.
Komunikata e plotë:
Prizren, 29 Janar 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore.
