Një 78-vjeçar nga Posta Fibreno në Frosinone të Italisë po përballet me një situatë absurde: ai nuk ka marrë pensionin që nga muaji mars, pasi autoritetet e kanë regjistruar si të vdekur – edhe pse ai është gjallë.
Sipas mediave italiane, gjithçka nisi pas një gabimi në plotësimin e një certifikate vdekjeje.
Në dokument, në vend të emrit të një familjari 90-vjeçar që kishte ndërruar jetë në fund të shkurtit, ishte shënuar emri i 78-vjeçarit.
Gabimi nuk u korrigjua në kohë, dhe dy ditë më vonë autoritetet shëndetësore dërguan njoftimin e pavërtetë në Institutin Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (INPS), i cili ndërpreu menjëherë pagesën e pensionit.
I moshuari është paraqitur personalisht në zyrat e INPS-it, por edhe prania fizike nuk ishte e mjaftueshme për të provuar se është gjallë. “Për ne, ju jeni të vdekur. Nëse doni të provoni të kundërtën, sillni një dokument që vërteton se jeni gjallë”, i është thënë në mënyrë absurde nga punonjësit e institucionit.
“Është gjithçka kaq absurde, nuk mund ta besoj. Por mbi të gjitha, kam nevojë për ato para, nuk kam asnjë burim tjetër të ardhurash”, është shprehur i revoltuar burri.
Avokati i tij, Antonio Lecce, ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave ligjorë nëse autoritetet nuk e korrigjojnë menjëherë gabimin. Ai i ka dhënë një afat ASL-së së Frosinone-s për të dërguar certifikatën e korrigjuar në të gjitha institucionet përkatëse. Në të kundërt, çështja do të përfundojë në gjykatë.