LAJMET

Isa Mustafa deklarohet për situatën në LDK: Rezultati ka pasojë, zgjidhja në organet e partisë e jo në deklarimet e degëve

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, gati një muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka vendosur që të flasë për atë që po ndodhë me partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova, pas rezultatit tepër të dobët të marrë në zgjedhjet e fundit nacionale.

Ky reagimi i Mustafës vjen dy ditë para mbledhjes së Kuvendit të LDK-së, që do të mbahet të shtunën e kësaj jave e ku do të shqyrtohet akti i dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.

Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se pavarësisht kërkesave të mediave, është munduar që të mos përfshihet me opinione rreth rezultatit të zgjedhjeve dhe debatit për doreheqjen e Abdixhikut dhe asaj se kush duhet ta udhëheq partinë, meqë sipas tij, çështja e rezultatit është është etike dhe jo e testimit apo licencimit.

Sipas tij, ky problem zgjidhet vetëm në organet vendimmarrëse të partisë dhe jo përmes deklarimeve të degëve, simpatizantëve apo “debutuesve boshe se kush duhet të shkojë e kush duhet të qëndrojë në LDK”.

“Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se ata që e duan partinë, duhet ta duan atë me besim të plotë se në LDK ka potencial dhe forcë rregulluese dhe se LDK mund të ringritet si parti politike.

“Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka thënë gjithashtu se LDK s’mund të përdoret si platformë mbi të cilën ndërtohet diçka tjetër, duke e shfrytëzuar emrin e saj.

Gjithashtu ish-kreu i kësaj partie ka thënë se LDK-së nuk i duhen ndarjet mes “ne dhe ata” apo “të vjetrit e të rinjtë”.

“Reformat në LDK i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhjet dhe ardhje të reja dhe njerëz të rinj. LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë”, ka shkruar Mustafa.

Në fund ai thotë se Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së “për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt”.

https://www.facebook.com/share/p/1EqMXJNXYn/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *