Masë paraqitjeje në stacion policor për 22 të dyshuar për vjedhje të votave në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë, në tri seanca të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ka nxjerrë vendim duke refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve ‘Shani Nushi’, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej 1 muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.
