LAJMET

Stërvitjet ushtarake pranë kufirit me Kosovën, reagon Alban Hyseni: Shqetësuese e provokuese për qytetarët tanë

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, në afërsi të Gjilanit, janë provokuese për qytetarët e kësaj ane.

“Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Komunës tonë, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët tanë. Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve”.

Ai tha se si kryetari i Gjilanit është i shqetësuar dhe se për këto zhvillime do të kërkojë “nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

“Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre”, tha ai.

Për këto stërvitje ka reaguar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i cili tha se po kryhen stërvitjet ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, duke e quajtur këtë një provokim të radhës ndaj popullatës shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *