Osmani i është drejtuar Kushtetueses për emërimet në KQZ, PDK ka ankesa, pritet të dalin në konferecë për media
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga kabineti i Osmanit thuhet se ajo ka marrë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që e parasheh Kushtetuta, prandaj ajo ka ndërmarrë një hap të tillë.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.
Këtë muaj Osmani ka kërkuar nga partitë politike propozimet e tyre që të dërgohen në Presidencë brenda afateve ligjore për përbërjen e re të KQZ-së.
Sipas ligjit, Presidentja i kërkon subjekteve parlamentare nominimet për anëtarët e KQZ-së pas certifikimit të Kuvendit. Ndërkaq, partitë kanë një afat të caktuar për të dërguar propozimet e tyre.
Siç merr vesh Gazeta Express, PDK-së, si partia e dytë më e madhe në Parlament, i është kërkuar propozimi i dy anëtarëve, ndërsa i është dhënë vetëm një.
Për këtë çështje, PDK ka paralajmëruar konferencë për media nga ora 14:00.
Neni 139 i Kushtetutës thotë: Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha und të emërojnë anëtarë shtesë. Një (1) anëtarë emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.
