Miftaraj: Aktgjykimi i Kushtetuetes tregoi se askush s’mund t’i detyrojë deputetët të qëndrojnë në sallë në seancën për Presidentin
Ehat Miftaraj nga IKD, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të Vjosa Osmanit tregon dy gjëra.
E para thotë ai që kërkesa e LVV për t’i obliguar deputetët të qëndrojnë në sallë për votimin seancën e zgjedhjes së Presidentit nuk qëndron.
“Kërkesa e Albulena Haxhiut dhe LVV për të obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës të qëndrojnë në sallë për të marrë pjesë në votim nuk është obligim kushtetues. GJK po tregon se nuk ka normë kushtetuese e as ndonjë praktikë gjyqësore që i detyron deputetët me qëndru fizikisht në sallë. Kjo lidhet me parimin e mandatit të lirë të deputetit”, ka thënë ai.
Ai tha po ashtu se dekreti nuk prodhon asnjë pasojë juridike.
“Dekreti nuk prodhon asnjë pasojë juridike/kushtetuese. Kuvendi obligohet që brenda 34 ditëve të zgjedhë kreun e shtetit ose vendi të shkojë në zgjedhje”, ka thënë ai. /Gazeta Express
