LAJMET

Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi kërkojnë falje për ekspozitën me pasaktësi për masakrat: S’kemi pasur synim ta lëndojmë askënd

Integra dhe Admovere, dy organizatat autore të ekspozitës me pasaktësi për masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, kanë kërkuar falje në një reagim sot në mëngjes.

Dy organizatat që drejtohen nga Shkëlzen Gashi fhe Kushtrim Koliqi, u kanë kërkusr falje familjarëve të viktimave civile, ndërsa bënë thirrje për “diskutim të hapur” për ta adresuar këtë çështje.

“Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”, thuhet në reagim.

Sipas autorëve, “qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë”.

“Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim.

Integra dhe Admovere bënë thirrje për “diskutim të hapur” për “të adresuar” këtë çështje.

“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”, thuhet në reagim.

Ekspozita, e cila ngjalli indinjatë të gjerë në Kosovë, me Komunën e Prishtinës që e revokoi lejen për shfaqjen e saj, doli se ishte financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Shkëlzen Gashi tha dje se për të dhënat e masakrave janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktivisttja serbe për të drejtat e njeriut.

Por Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një reagim se të dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë të krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *