Mbledhje elektronike e Qeverisë në detyrë, i ndahen 45 mijë euro Forumit Ekonomik të Vjenës, ka edhe vendime tjera
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike.
Në këtë mbledhje janë marrë këto vendime:
“Miratuar Raportin Tremujor të Buxhetit për vitin 2026.
Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 04/09, të datës 10.04.2026, për bartjen e shpenzimeve buxhetore nga ministritë amë në ministritë e reja të krijuara.
Ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 45,000.00€ (dyzet e pesë mijë euro) për Forumin Ekonomik të Vjenës, me qëllim të promovimit të Republikës së Kosovës.
Miratuar vendimin për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e pesëdhjetë e dy (52) specializantëve lehona nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere nënprogramin “Aftësimi Specialistik” dhe EVM, në vlerë prej 475,051.50 euro, nga data 01.11.2025 deri më datën 31.12.2026.
Miratuar vendimin për emërimin e Grupit Koordinues për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.
Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 17/47 të datës 10.12.2021, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24, të datës 11.08.2021 si dhe Vendimin e Qeverisë Nr.12/191 të datës 05.03.2024. Me këtë vendim i vazhdohet mandati Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik në afat kohor dy vjeçar.
Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24 të datës 11 gusht 2021, i plotësuari dhe ndryshuar me Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24, të datës 11.08.2021, Vendimin e Qeverisë Nr. 06/73 të datës 30.04.2022 si dhe Vendimin e Qeverisë Nr. 11/191 të datës 05.03.2024, përmes të cilit i vazhdohet mandati Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë në afat kohor dy vjeçar”, njofton ZKM.
