Kosova pjesë e aksionit ndërkombëtar që çoi në kapjen e personit që rrëmbeu vajzën e tij në Majorka, Policia jep detaje
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, ka realizuar me sukses një operacion policor që ka çuar në arrestimin e një personi me shtetësi gjermane të kërkuar nga INTERPOL-i për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për të dyshuarin me inicialet A.M.L. (1989), për të cilin autoritetet spanjolle kishin njoftuar se dyshohej se kishte rrëmbyer një fëmijë gjashtëvjeçar dhe ndodhej në Kosovë.
Policia njoftoi se, pas bashkëpunimit me Qendrën për Punë Sociale dhe autoritetet spanjolle, më 25 qershor fëmija iu kthye në mënyrë të sigurt nënës së tij.
Njoftimi i Policisë:
Pas një operacioni të suksesshëm policor të Policisë së Kosovës dhe autoriteteve spanjolle, arrestohet një i dyshuar, i kërkuar përmes INTERPOL-it
Është zhvilluar me sukses operacioni policor në bashkëpunim me autoritetet spanjolle për identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari, i kërkuar përmes INTERPOL-it për veprën penale ‘rrëmbim i fëmijës’.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e Policisë së Kosovës, kishte pranuar një informacion përmes INTERPOL-it nga autoritetet spanjolle, se një person i dyshuar me shtetësi gjermane A.M.L., d.t.l.1989, kishte rrëmbyer një fëmijë gjashte vjeçar dhe dyshohej se gjendet në Republikën e Kosovës se bashku me fëmijën e rrëmbyer.
Pas pranimit të këtij informacioni, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, ka marrë të gjitha masat duke i koordinuar aktivitetet me të gjitha njësitet tjera policore, me qellim te identifikimit dhe arrestimin e personit të dyshuar që kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër arrest-ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet e Spanjës.
Operacioni rezultoi i suksesshëm, më 24.06.2026 i dyshuar se bashku me fëmijën e rrëmbyer, u lokalizua në një lokacion në Fushe Kosove ku edhe u arrestua.
Pas arrestimit me urdhër të prokurorit e kujdestar, i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë, kurse fëmija është trajtuar në bazë të procedurave ligjore dhe i është ofruar strehim i sigurt.
Zyrtaret nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ne koordinim me prokurorin e rastit dhe Qendrën për Pune Sociale dhe ne bashkëpunim me autoritetet spanjolle, pas verifikimit të të gjitha rrethanave të rastit, me datë 25.06.2026 ka bërë në mënyrë të sigurt kthimin e fëmijës tek nëna e saj.
