LAJMET

Avokati i Popullit të Kosovës nis hetime pas pretendimeve për keqtrajtim të të arrestuarve për “Vidovdan”

Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka autorizuar hetime rreth pretendimeve se ka pasur keqtrajtim nga zyrtarët e Policisë së Kosovës të personave të arrestuar gjatë festimit të Vidovdanit më 28 qershor.

Në komunikatë thuhet se raporti pas hetimeve do të bëhet publik dhe do të njoftohen palët e interesuara me rekomandimet përkatëse.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatë.

“Hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me parimin e ndalimit absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues. Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë”, shton komunikata.

“Në kuadër të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Institucionit.Pas përfundimit të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do ta informojë opinionin publik dhe palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse, në përputhje me kompetencat e tij ligjore”, përfundon njoftimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *