Rama njofton për aksionin për lirimin e banesave të Komunës: Prona publike nuk mund të uzurpohet e as të trajtohet si pronë private
Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për një aksion të Drejtorisë së Pronës në kryeqytet për të liruar banesat që janë pronë e komunës e që janë shfrytëzuar në mënyrë të jashtëligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore.
Rama ka thënë se prona e komunës s’mund të trajtohet si private dhe se është detyrim të mbrohet e të kthehet nën menaxhim të ligjit.
Reagimi i plotë:
PO LIROHEN BANESAT KOMUNALE!
Po vazhdojmë me vendosmëri lirimin e banesave komunale që për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore.
Prona publike nuk mund të uzurpohet e as të trajtohet si pronë private. Detyrimi ynë është ta mbrojmë, ta kthejmë në funksion të ligjit dhe ta menaxhojmë me përgjegjësi e transparencë.
Kryeqyteti do të vazhdojë të veprojë pa kompromis ndaj çdo uzurpimi të pronës komunale!
