Hykmete Bajrami para mbajtjes së Kuvendit të partisë: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, të enjten duhet guxim
Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë thirrje për ndryshim në parti para mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, i thirrur nga kryetari Lumir Abdixhiku për të enjten, ku pritet të vendoset nëse ai do të vazhdojë ta udhëheqë partinë, mes kërkesave për largimin e tij.
Bajrami tha se të enjten LDK-ja “do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj”.
“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës, shtepia jonë politike do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes njerëzve, por si një vendim për të ardhmen tonë të përbashket. Në Kuvendin e jashtzakonshëm të LDK-së nuk do të vendoset se kush është me kryetarin aktual dhe kush kundër tij, as kush është me LVV-në e kush me PDK-në”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Për Bajramin, “Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”.
“Dhe këtu pyetja është shumë e thjeshtë: A jemi të kënaqur me gjendjen ku ndodhet LDK-ja sot? Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim”, shkroi ajo.
Ajo kujtoi se nga viti 2021, “LDK-ja ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje dhe në të tria ka përfunduar si partia e tretë”.
“Nuk kemi shënuar fitore as në nivelin lokal. Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate”, shkroi ajo.
Bajrami tha se “kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”.
“Pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025, i kam kërkuar dorëheqjen kryetarit të partisë dhe në të njëjtën kohë, kam dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares. Pra, nuk kam kërkuar nga ai atë që nuk kam qenë e gatshme ta bëj vetë. Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit. Është pikërisht standardi mbi të cilin po ky kryetar ka ardhur në krye të LDK-së”, shkroi ajo.
Sot, sipas Bajramit, “LDK-së i duhet një mënyrë e re udhëheqjeje, jo thjesht zëvendësimi i një emri me një emër tjetër”.
“Një udhëheqje që bashkon e nuk ndan. Që dëgjon e nuk hakmerret. Që vlerëson mendimin ndryshe e nuk e trajton atë si mosbesnikëri. Që e njeh meritën, punën dhe kontributin. Që i çmon më shumë qëndrestarët sesa turistët politikë. Që secilit ia njeh vendin meritor dhe nuk i nëpërkëmb vlerat për shkak të bindjeve personale. LDK-ja nuk duhet të jetë rezervë për askënd. LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë as e LVV-së, as e PDK-së, as e AAK-së dhe as e ndonjë grupimi tjetër politik. LDK-ja nuk duhet të hyjë në zgjedhje duke menduar se partner i kujt do të bëhet pas humbjes. LDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje për të fituar. Duhet të jetë alternativa më serioze. Një parti që ka vizion jo vetëm për veten, por për Kosovën. Kosovës i duhet një LDK që nuk kompleksohet nga pushteti, por i del përballë atij. Një LDK që luftën kundër korrupsionit e ka bindje dhe praktikë, jo slogan për vota. Që angazhohet për çkapjen e institucioneve, për drejtësi të pavarur dhe për një standard të njëjtë për të gjithë. Një LDK që qëndron për ekonominë e tregut, pronën private, ndërmarrësinë, zhvillimin e sektorit privat dhe investime të guximshme. Një LDK e qartë në orientimin euroatlantik, në bashkëpunimin me aleatët dhe në integrimin e veriut përmes ligjit, zhvillimit dhe koordinimit me partnerët tanë”, shkroi ajo.
Por, për t’ia ofruar këtë alternativë Kosovës, Bajrami thotë se “LDK-ja së pari duhet të ndryshojë vetë”.
“Nuk mund të kërkojmë meritokraci në shtet, nëse nuk e zbatojmë në parti. Nuk mund të flasim për demokraci, nëse çdo mendim ndryshe shpallet armiqësi. Nuk mund të pretendojmë se do ta bashkojmë Kosovën, nëse nuk arrijmë ta bashkojmë familjen tonë politike. Personalitetet në LDK nuk janë lojtarë që largohen nga fusha sa herë që shprehin mendim ndryshe. LDK-ja nuk është pronë e askujt. Ajo u përket anëtarëve, veprimtarëve dhe votuesve të saj”, shkroi ajo.
Bajrami tha se “Kuvendi i ardhshëm nuk duhet të shihet si fundi i dikujt, por si mundësi për një fillim të ri – të përbashkët për të gjithë ne”.
“Jo kundër një individi, por pro LDK-së. Jo për interesa personale, por për besimin e qytetarëve. Jo për të qenë pjesë e pushtetit të të tjerëve, por për t’u bërë vetë alternativa fituese. LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Duhet të bashkohet, që të fitojë. Dhe duhet të fitojë, që t’i shërbejë Kosovës.“, shkroi ajo.
