LAJMET

Britania paralajmëron shtetasit e saj për tubimet e 16 shtatorit në Kosovë: Qëndroni larg turmave të mëdha apo demonstratave

Edhe Britania e Madhe ka paralajmëruar shtetasit e saj në Kosovë që të tregojnë kujdes dhe të shmangin tubimet e mëdha, një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Në këshillën e saj për udhëtimet, Qeveria britanikenjofton se gjatë kësaj jave do të ketë tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane, përfshirë datën 16 shtator, ditën kur jepet verdikti për krerët e UÇK-së në Hagë.

Sipas njoftimit, këto tubime mund të shkaktojnë pengesa, përfshirë vështirësi në trafik dhe në transportin publik.

Qytetarëve britanikë në Kosovë u bëhet thirrje që të ndjekin zhvillimet lokale, të planifikojnë më shumë kohë për udhëtim dhe të qëndrojnë larg turmave të mëdha dhe demonstratave.

“Gjatë javës së ardhshme, përfshirë datat 12 dhe 16 shtator, do të ketë tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane. Kjo mund të shkaktojë pengesa, përfshirë ndërprerje në trafik dhe në transportin publik. Informohuni rregullisht për zhvillimet lokale, planifikoni më shumë kohë për udhëtim dhe qëndroni larg turmave të mëdha apo demonstratave”, thuhet në këshillën britanike.

Paralajmërimi britanik vjen pasi edhe Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar shtetasit e tyre në Kosovë për situatën e 16 shtatorit, ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *