LAJMET

Gërvalla mohon se ka bashkëpunuar me UNMIK, EULEX dhe Specialen: Deklaratat janë bërë bozë, keni durim, aktgjykimi do të vijë shpejt

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e saj në një konferencë të sotme për media.

Duke mohuar se ka dorëzuar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK’së, ajo tha se kjo temë është bërë “bozë”.

“Deklaratat që më lidhin mua me bashkëpunimin, tashmë është bërë bozë sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk kanë asnjë hallkë, as me UNMIK as me EULEX, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt dhe as indirekt. Edhe pak durim duhet të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt. Ata që më së shumti kanë bërtitur në këtë lëmi e më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen në një moment, por që kanë përsëritur gënjeshtrat të vëna në qarkullim nga ata vetë”.

Ndërkaq, Gërvalla tha se pas aktgjykimit dënues që iu shqiptua katërshes në Hagë, ajo nuk ka heshtur sepse në emër të saj ka folur kryeministri Albin Kurti.

“Unë s’kam heshtur, jam ministre e Drejtësisë, kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë. Unë bashkë me ekipin qysh ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi me një betejë. Sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, jo deklaratash në media. Ne duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokë të ftohtë, duhet të përgatitemi për fazat e ardhshme”,

Në fund, për dorëheqjen, Gërvalla refuzoi të flasë nëse do ta jep ose jo përveçse tha se është e drejtë e gjithkujt të shprehë kërkesa të tilla për anëtarët e qeverisë.

“Është e drejtë e secilit qytetar që të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër. Më në fund jetojmë në një shtet demokratik ku është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij. Nuk e komentoj kërkesat për dorëheqje, por as t’ia ndaloj fjalën askujt”./Express/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *