Bajrami: Me miliarda buxhet, Qeveria Kurti s’e përfundoi asnjë projekt të madh – keqplanifikim, keqmenaxhim, korrupsion endemk
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka pyetur nëse dikush mund të përmend një projekt të madh kapital të pëfunduar ngs Qeveria Kurti.
Bajrami ka numëruar rrugë dhe projekte të tjera të papëfunduara.
Hykmete Bajrami ka shkruar:
A mund ta përmendni një projekt të madh kapital të përfunduar nga Qeveria Kurti?
Jo një projekt të premtuar.
Jo një projekt të buxhetuar.
Një projekt të përfunduar.
Pas gjashtë vitesh qeverisjeje dhe miliarda euro buxhet, Qeveria Kurti ende nuk mund të dëshmojë suksesin e saj qoftë edhe me një projekt të madh kapital të përfunduar.
Megjithatë, e njëjta Qeveri vazhdon të premtojë investime miliardëshe, sikur qytetarët të mos i shohin çdo ditë projektet që zvarritën e barten nga viti në vit.
Propaganda mund t’i zmadhojë shifrat herë me deklarata e herë në letër, por nuk mund t’i ndërtojë rrugët, shkollat, çerdhet as spitalet.
Rrugët Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Gjilan, Prishtinë – Mitrovicë, Kijevë – Zahaq dhe Dollc – Gjakovë vazhdojnë të mbesin të papërfunduara. Disa prej këtyre projekteve kanë nisur para dhjetë vitesh, ndërsa qytetarët vazhdojnë të humbin orë të tëra në kolona.
Sipas Raportit Nëntëmujor Financiar të Ministrisë së Financave, deri në fund të shtatorit 2026 janë realizuar vetëm 376.85 milionë euro nga 998.4 milionë euro të planifikuara për investime kapitale, apo rreth 37% e buxhetit vjetor. Janë shpenzuar 12.36 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Edhe më shqetësues është fakti se nga 376.85 milionë euro të regjistruara si shpenzime kapitale, 82.11 milionë euro janë pagesa për vendime gjyqësore. Pra, jo çdo euro e regjistruar si shpenzim kapital përfaqëson investim kapital në terren.
Vetëm gjatë viteve 2021 – 2024 janë realizuar rreth një miliard euro më pak investime kapitale sesa ishin planifikuar.
Këto nuk janë thjesht shifra buxhetore. Ato përfaqësojnë investime të parealizuara, shërbime publike të përkeqësuara, vende pune të pakrijuara dhe mundësi të humbura për zhvillimin ekonomik.
Krejt këto dështime janë rezultat i mungesës së kapaciteteve qeverisëse, keqplanifikimit, vonesave në prokurim, keqmenaxhimit të projekteve dhe korrupsionit endemk. Gjatë kësaj qeverisjeje janë lidhur 2913 kontrata njëburimore.
Për vitin 2027, Qeveria ka planifikuar 1.07 miliardë euro investime kapitale, nga këto për të gjitha komunat ka ndarë vetëm rreth 247 milionë euro për investime kapitale.
Por, kur shihen projektet konkrete në projektbuxhetin për vitin 2027, dallimi mes premtimeve dhe shumave të buxhetuara është shumë i madh.
Ja vetëm disa shembuj:
Në buxhetin e vitit 2027: janë 23 çerdhe me buxhet zero për 2027. A e dini pse? Sepse keshtu Albini Kurti e mban gjallë gënjeshtren e 160 çerdheve që nuk u realizian kurrë.
Pra, 23 çerdhe që figurojnë në projekt buxhet, buxhetin për vitin 2027 e kanë ZERO.
Mandej kemi projektet të tjera si:
Rruga Duhël – Banullë: projekt prej 26 milionë euro, por për vitin 2027 nuk është ndarë asnjë euro.
Unaza e Prishtinës: projekt prej 61 milionë euro, ndërsa për vitin 2027 është ndarë vetëm 1 milion euro, apo 1.6% e vlerës së projektit.
Rruga e Dukagjinit: projekt prej 31 milionë euro, ndërsa për vitin 2027 është ndarë vetëm 1 milion euro.
Ndërtimi i digave: Qeveria premton ndërtimin e pesë digave me vlerë mbi 400 milionë euro investime. Ndërkohë, për vitin 2027 ka ndarë vetëm 1.5 milionë euro.
Instituti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë: projekt prej 1.7 milionë euro, ndërsa për vitin 2027 janë ndarë vetëm 50 mijë euro.
Mekat që kjo Qeveri nuk e ka kuptuar se investimet kapitale janë ndër instrumentet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, veçanërisht për një ekonomi si e jona, e cila vazhdon të varet nga importi.
Investimet në rrugë, hekurudha, shkolla, spitale dhe infrastrukturë publike krijojnë vende pune, mbështesin bizneset vendore, ulin kostot e transportit dhe prodhimit, përmirësojnë shërbimet publike, ambientin e të bërit biznes dhe rrisin konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve tona.
Çdo euro e investuar mirë nga buxheti i shtetit mund të krijojë efekte multiplikuese në ekonomi, duke gjeneruar aktivitet të ri ekonomik, të ardhura dhe mundësi të reja për qytetarët.
Prandaj, dështimi në planifikim dhe realizimin e investimeve kapitale nuk nënkupton vetëm qindra miliona euro të pashpenzuara, nënkupton zhvillim ekonomik të munguar, vende pune të pakrijuara dhe vite e vite të humbura për qytetarët e Kosovës.
Kosova ka nevojë për investime, jo për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që di t’i kthejë paratë publike në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.
Sepse në fund, suksesi i një qeverie nuk matet me miliardat që i premton, por me investimet dhe premtimet që i realizon.
Përgjegjësi!
