LAJMET

LDK i reagon Nasim Haradinajt që tha se Ukë Bytyçi u vra për hakmarrje: Deklaratë qëllimkeqe, po e shtrembëron realitetin

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suharekë i ka reaguar ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, lidhur me një deklaratë të tij mbrëmë në Pressing në T7.

Haradinaj tha se aktivisti i LDK-së dhe kryetari i Komunës së Suharës, Ukë Bytyqi, u vra më 27 tetor 2002 për hakmarrje, për shkak se truprojet e tij e kishin rrahur një fëmijë.

LDK-ja e Suharekës e cilëson këtë deklaratë “qëllimkeqe”, përveçëse “të pabazuar”.

“E vërteta është ndryshe Nasim. Vërtet e habitshme kur dëgjon deklarime të tilla për një temë kaq të ndjeshme për të gjithë. Si është e mundur që me kaq lehtësi jepen deklarata të pavërteta, me hamendje dhe të pa bazuara në fakte në studio televizive për një temë kaq të ndjeshme për opinionin publik. Me këtë rast, Dega e LDK-së në Suharekë, një deklaratë të tillë e cilëson të papranueshme, qëllimkeqe, të pa bazuar në fakte dhe shtrembërim të realitetit rreth kësaj ngjarje tragjike për komunën tonë”, thuhet në reagim.

Dega e LDK-së në Suharekë thotë se “Ukë Bytyçi ishte një njeri që dha kontribut jetësor në të gjitha fazat e shtendërtimit të shtetit tonë”.

“Ai në ditët më të vështira për vendin iu bashkua luftës çlirimtare për çlirim. Kryetari Ukë Bytyçi ishte një njeri human dhe gëzonte mbështetje masive te qytetarët e Therandës. Kjo si duket nuk i ka pëlqyer dikuj dhe nën tensionin e kohës ka ndikuar edhe në vrasjen e tij dhe dy shoqëruesëve të tij”, thuhet në reagim.

“Sot, pas kaq vitesh, të rikthehet kjo temë me deklarata të pavërteta është e papranueshme për ne si degë, por edhe për gjithë qytetarët e Therandës dhe jo vetëm. Prandaj, kërkojmë maturi dhe përgjegjësi ndaj çdo deklarate që jepet, sepse këto çështje kalojnë limitet e një ballafaqimi të politikës ditore dhe si të tilla krijojnë huti te opinioni publik”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Suharekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *