Në mes të natës, në zemër të shkretëtirës iraniane, nis një nga operacionet më të guximshme të shërbimit sekret izraelit, Mossad.
Dy agjentë të maskuar, të pajisur me fenerë në ballë dhe armë të sofistikuara, përgatiten për një sulm që do të tronditë Teheranin dhe botën: operacioni “Luan i Ngjallur”, shkruan The Times.
Kjo ishte faza e parë e një goditjeje të planifikuar me saktësi kirurgjikale, që përfshiu infiltrime të fshehta, dezinformata të qëllimshme dhe, në fund, një ofensivë të rrufeshme ajrore me qindra avionë luftarakë izraelitë.
Nga terreni i thatë i shkretëtirës e deri në zemër të qytetit të Teheranit, Mossad-i kishte pozicionuar armë precize pranë sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane, ndërsa një bazë sekrete për lëshimin e dronëve ishte vendosur pranë kryeqytetit.Izraeli goditi në orën 03:30 të mëngjesit.
Dronët e parë neutralizuan sistemet e radarëve dhe raketave tokë-ajër, duke hapur rrugën për një valë prej 200 avionësh F-16 dhe F-35. Në vetëm 15 minuta, u shkatërruan mbi 20 objektiva kyçe ushtarake dhe qeveritare.
Në shënjestër ishin disa nga figurat më të rëndësishme të regjimit iranian. U vra komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami; shefi i shtabit të ushtrisë, Mohammad Bagheri; si dhe shkencëtari bërthamor Fereydoun Abbasi.
Një goditje tjetër vrau edhe Ali Shamkhanin, një nga këshilltarët më të afërt të Liderit Suprem Ali Khamenei.Sipas burimeve të sigurisë, Izraeli kishte mashtruar inteligjencën iraniane duke shpërndarë informacione të rreme për një “krizë” midis Netanyahu dhe Trump, si dhe për planet për pushime familjare në Galile.
Këto sinjale mashtruese u përdorën për të ulur vigjilencën iraniane dhe për të detyruar drejtuesit e lartë të mblidheshin në vendet ku më pas u goditën.
Për popullin iranian, mëngjesi nisi me tym që ngrihej mbi Teheran, zëra shpërthimesh dhe panik në rrugë. “U ndjeva si në luftë,” tha një banor i Tabrizit për mediat lokale.
“Nëse ata nuk munden të mbrojnë veten, si do të mbrojnë ne?”.
Operacioni i paprecedentë i Izraelit ka ngritur shqetësime serioze ndërkombëtare mbi përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Por një gjë është e qartë: natën e së premtes, Izraeli ndryshoi balancat e fuqisë në rajon — me precizion, befasi dhe një mesazh të qartë./Top Channel