Presidentja pritet t’i drejtohet Kushtetueses për qartësim nëse kuvendi s’konstituohet brenda 30 ditësh
Presidentja Vjosa Osmani është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’i drejtuar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për sqarimin e aktgjykimit të seancës konstituive, pas dështimit të seancës së sotme.
Kështu ka deklaruar për GazetaBlic këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, i cili shtoi se presidentja po shqyrton pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Aktgjykimi në rastin nr. KO 124/25, në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra, brenda 30 ditësh),” tha Kupina për GazetaBlic.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i shpallur më 26 qershor 2025, u ka dhënë deputetëve të legjislaturës së nëntë një periudhë kohe për të konstituuar Kuvendin, një proces që ka nisur më 15 prill.
Por, edhe seanca e 44-të, e mbajtur sot më 9 korrik, ka dështuar pasi Lëvizja Vetëvendosje, ashtu si në 43 seancat e tjera, nuk ka arritur të vendosë Albulena Haxhiun në pozitën e kryetares.