Zemaj: VV-ja po bën presion ndaj pakicave joserbe – s’është vonë për zgjidhje të ngërçit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, përpara nisjes së seancës së fundit përpara përfundimit të afatit të Kushtetueses për konstituimin e kuvendit ka thënë se nuk është kurrë vonë që të kenë një zgjidhje të ngërçit politik.
Zemaj tha se pavarësisht ngërçit, është tepër e vështirë që të ketë një zgjidhje në këto orë të vona të natës, për shkak të interesave personale apo pozitave lakmuese të VV-së, teksa tha se këta të fundit po i bëjnë presion minoriteteve joserbe.
“Fatkeqësisht, e patë se si u thirr një seancë, në emër të asaj të gjetjes së një mundësie për të dalë nga ky ngërç dhe të kemi edhe kuvend edhe qeveri. Por, shpresat janë të vogla. Nuk kemi ndonjë qartësim të ndonjë marrëveshjeje, qoftë ajo mes VV-së dhe Nismës”.
“Kemi dëgjuar se ka një presion ndaj deputetëve, sidomos të grupeve minoritare por gjithçka është pjesë e diskutimeve. Nuk ka presion ndaj deputetëve të LDK-së, nuk kemi ndonjë informacion. Por, nga kolegët tanë, sidomos nga grupet minoritare joserbe kemi dëgjuar se është duke u bërë një presion që të gjenden vota shtesë në bazë të kërkesave që ata i kanë paraqitur”, tha Zemaj, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai u shpreh se edhe nëse procesi kthehet në votim të hapur do të duhej një marrëveshje politike për t’i siguruar 61 vota.
“Edhe nëse kthehemi në votim të hapur, duhet një marrëveshje politike për t’i siguruar 61 vota. Por, është e mira e asaj sepse i rikthehemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë mund t’i shihni deputetët duke votuar për, kundër ose abstenuar”, tha ai.