IPK arreston një zyrtar policor në Prishtinë, dyshohet se sulmoi kolegun e tij gjatë orarit të punës
Një zyrtar policor, i cili shërben në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, është arrestuar gjatë ditës së premte.
Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, zyrtari policor dyshohet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij gjatë orarit të punës.
IPK po ashtu ka rekomanduar suspendimin e këtij zyrtari policor.
Njoftimi i plotë i Inspektoratit Policor të Kosovës:
Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot pasdite për një incident brenda hapësirave të Stacionit Policor “Jugu” në Prishtinë.
Hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore në lidhje me këtë incident ku dyshohet se një zyrtar policor ka sulmuar fizikisht kolegun e tij gjatë orarit të punës.
Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, është arrestuar një zyrtar policor i cili shërben në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.
Arrestimi i tij është bërë më dyshimin se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale “Sulm” kurse të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së dhe në interes të hetimit IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e këtij zyrtari policor.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.
Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar të trajtojë me seriozitet të lartë çdo veprim të kundërligjshëm të zyrtarëve policorë me qëllim të fuqizimit të integritetit të Policisë së Kosovës.