Aksion policor kundër fajdesë dhe shpëlarjes së parave, bastisje në katër lokacione në Prishtinë – dy të arrestuar
Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë arrestuar dy persona, B.M dhe Q.M, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra penale “fajde”, “shpëlarje e parave”, “kanosje”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim”.
Arrestimet u kryen pas veprimeve hetimore të zhvilluara me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Mee autorizim të kësaj prokurorie dhe vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë,m në aksionin e sotëm janë realizuar kontrolle në katër lokacione të ndryshme – përfshirë shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse – që lidhen me të dyshuarit.
Gjatë bastisjeve, hetuesit kanë sekuestruar prova materiale të cilat pritet të përdoren në procedurat penale kundër të arrestuarve. Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, Prokuroria Speciale ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë.
Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar për të trajtuar çdo informacion dhe dyshim për krime të organizuara me profesionalizëm dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë, me qëllim që të gjithë kryesit e veprave penale të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.