LAJMET

125 mijë euro dëm, Specialja ngre aktakuzë për keqpërdorime ndaj Mujkës dhe Muzliukajt

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurëve F.M dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Klankosova.tv, mëson se bëhet fjalë për tashmë kryeshefin e Ibër-Lepencit, Faruk Mujkën, dikur nënkryetar i Mitrovicës dhe ish-drejtorin e Kadastrit në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj.

Të njëjtit dyshohet se i kanë shkaktuar dëm prej 125,100 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

”Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”.

Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, dyshja, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Njëkohësisht Faruk Mujka akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në kuadër të aktakuzës, kjo Prokurori, ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *