LAJMET

LDK-ja kundërshton shkuarjen e Bislimit në Bruksel: Vullneti i popullit nuk i dha atij mandat

Vendimi i Qeverisë në detyrë për ta dërguar Besnik Bislimin në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, është i pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional.

Kështu ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila shton se zgjedhjet e 9 shkurtit dhanë një mesazh të qartë nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Ky vullnet politik nuk i jep mandat z. Bislimit të përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm dhe vendimtar. Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani”, tha LDK-ja në këtë reagim.

Dialogu me Serbinë, sipas kësaj partie, është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë.

Ky proces, thotë LDK-ja, nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli.

“Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike”.

“Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim. Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri këtë parim, duke theksuar se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat”, u shpreh LDK-ja në këtë reagim.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjendet në Bruksel. Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Mbi detajet, formatet, takimet dhe temat e diskutimit, do të informoheni në përfundim të tyre”, tha për Radion Evropa e Lirë, Klisman Kadiu, shef i kabinetit të Bislimit.

Serbia, ndërkaq, raportohet se në Bruksel ka dërguar kryenegociatorin e saj, Petar Petkoviq.

Bislimi dhe Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillojnë takim të përbashkët, pasi paraprakisht kryenegociatorët kanë zhvilluar takime të ndara me ndërmjetësin evropian, raportoi agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve vjen pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *