LAJMETSHËNDETISTORJE & INTERVISTA

INTERVISTË/A po kujdeseni siç duhet për mishin e dhëmbëve? Këshillat e një specialisteje me 17 vite përvojë

Gazetare: Mihane Hoxha

Shëndeti oral nuk varet vetëm nga dhëmbët, por edhe nga gjendja e mishit të dhëmbëve – një komponent thelbësor që shpesh neglizhohet. Në këtë intervistë ekskluzive për Vendisot.info, Dr. Laura Mustafa, specialiste e Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale dhe me mbi 17 vite përvojë si stomotologe, ndan këshilla praktike, shpjegime profesionale dhe përvojën e saj me pacientë të moshave të ndryshme. Ajo flet për shenjat paralajmëruese të sëmundjeve të mishit të dhëmbëve, teknikat e pastrimit, ndikimin e dietës dhe duhanit, si dhe rëndësinë e kontrollave të rregullta.

Dr. Laura Mustafa, specialiste e Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale

Vendisot.info: Çfarë roli luan mishi i dhëmbëve në shëndetin oral?

Dr. Laura Mustafa: Roli i mishit të dhëmbëve në shëndetin oral është mbrojtja e strukturave të thella të kompleksit parodontal (indet që i japin mbështetje dhëmbit), ushqyes sepse ka rrjet të begatë të enëve të gjakut, sensor — ka numër të dukshëm të mbaresave nervore.

Vendisot.info: Cilat janë shenjat e para që tregojnë se kemi probleme me mishin e dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Shenjat e para që tregojnë se kemi probleme me mishin e dhëmbëve janë gjakderdhja, skuqja, enjtja, prezenca e gurit të dhëmbit dhe aroma e keqe nga goja.

Vendisot.info: Si duhet të pastrohen dhëmbët për të mbrojtur mishin e dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Dhëmbët duhet të pastrohen në mënyrë që të eliminohen mikrobet përgjegjëse për sëmundjet e mishit të dhëmbëve. Kjo arrihet kur brushën (me trashësi mesatare të fijeve) e mbajmë paralel me dhëmbët. Fijet e brushës me sipërfaqen e dhëmbit duhet të formojnë një kënd prej 45 shkallësh. Duhet të pastrojmë çdo sipërfaqe të dhëmbëve para-mbrapa në lëvizje rrethore për 2–3 minuta. Kjo është metoda Bass për pastrimin e dhëmbëve.

Vendisot.info: A ndihmon pastrimi me fill/pe dentar apo furça ndërdentale në parandalimin e inflamacionit të mishit të dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Pastrimi me fill/pe dentar dhe furça interdentale është i domosdoshëm për pastrimin e hapësirave ndërmjet dhëmbëve dhe parandalimin e inflamacionit të mishit të dhëmbëve.

Gjendja para dhe pas trajtimit parodontal. Foto e siguruar nga Dr. Laura Mustafa

Vendisot.info: Cilat janë teknikat e duhura për të pastruar mishin e dhëmbëve pa e dëmtuar atë?

Dr. Laura Mustafa: Ekzistojnë teknika të ndryshme të pastrimit të dhëmbëve. Unë rekomandoj teknikën Bass, të cilën e demonstruam më herët.

Vendisot.info: A ka produkte të veçanta (si pasta dhëmbësh apo shpëlarës goje) që ndihmojnë për shëndetin e mishit të dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Po, ka produkte që ndihmojnë në shëndetin e mishit të dhëmbëve, veçanërisht te pacientët tek të cilët, për ndonjë arsye, vështirësohet mbajtja e higjienës orale (lezionet në gingivë, gingiviti ulcero-nekrotik, ndërhyrjet operative). Chlorhexidine 0.2% është shpëlarës shumë efikas që pengon krijimin e pllakut dental. Pastrimi i dhëmbëve nuk varet nga përbërësit e pastës, por nga teknika e aplikuar për pastrim dhe nga brushën që përdorim. Brushën duhet ta ndërrojmë çdo 6 muaj.

Vendisot.info: Sa shpesh rekomandohet pastrimi profesional te dentisti për të parandaluar sëmundjet e mishit të dhëmbëve? Dhe, nga cila moshë preferohet?

Dr. Laura Mustafa: Pastrimi profesional rekomandohet në momentin kur kemi prani të pllakut dental apo gurit të dhëmbit. Kontrollat duhet të bëhen dy herë në vit.

Vendisot.info: A ndikon dieta apo stili i jetesës në shëndetin e mishit të dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Dieta dhe stili i jetesës kanë ndikim të rëndësishëm në shëndetin oral. Marrja e ushqimeve të përpunuara, lëngjeve me sheqerna dhe atyre të gazuara, pirja e duhanit, rrezikojnë shëndetin oral të secilit prej nesh. Zëvendësoni këto me ushqime të shëndetshme: produkte të qumështit, djathë dhe kos që përmbajnë kalcium, dhe ushqime me vitamina të cilat janë të dobishme për shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe atë oral.

Vendisot.info: Cilat zakone janë më të dëmshme për mishin e dhëmbëve (si duhani, mungesa e pastrimit, etj.)?

Dr. Laura Mustafa: Mungesa e higjienës orale është shkaktari kryesor i sëmundjeve të gingivës dhe aparatit mbështetës të dhëmbëve. Duhani shkakton probleme serioze shëndetësore. Pirja e duhanit njollos dhëmbët, shkakton erë të keqe, rrit temperaturën lokale në inde dhe rrezikun e sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve. Efekti i temperaturës së lartë që krijohet në gojë dhe kimikatet që përmban duhani pengojnë qarkullimin e gjakut dhe proceset rigjeneruese të indeve.

Vendisot.info: Cilat janë disa këshilla të thjeshta dhe të përditshme për të pasur mish dhëmbësh të shëndetshëm?

Dr. Laura Mustafa: Pastroni dhëmbët dy herë në ditë për 3–5 minuta, ndërroni brushën çdo 6 muaj, përdorni perin dentar së paku një herë në ditë, bëni kontrolla të rregullta dy herë në vit.

Vendisot.info: Nëse mishi i dhëmbëve gjakoset gjatë larjes, çfarë duhet të bëjmë? Ta ndalim larjen apo ta vazhdojmë?

Dr. Laura Mustafa: Nëse mishi i dhëmbëve gjakoset gjatë larjes, nuk duhet të ndalim pastrimin e dhëmbëve. Kjo është shenjë që tregon se duhet të paraqitemi te specialisti i Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale.

Vendisot.info: Cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjnë pacientët në kujdesin për mishin e dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Gabimet më të shpeshta që bëjnë pacientët janë ndalimi i pastrimit të dhëmbëve nga frika e gjakderdhjes dhe moslajmërimi te profesionisti, gjë që çon në avancimin e sëmundjes dhe humbjen e dhëmbëve.

Vendisot.info: A ka ndonjë rast nga përvoja juaj që tregon rëndësinë e kujdesit për mishin e dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Ka shumë raste nga përvoja ime, që tregojnë se rëndësia e kujdesit për shëndetin oral, sidomos te moshat e reja me gingivit dhe stad fillestar të parodontopatisë, është vendimtare në suksesin e trajtimit të pacientit.

Vendisot.info: Si veproni me pacientët që kanë sëmundje ngjitëse, dhe në përgjithësi me sëmundje të tjera? Gratë shtatzëna a i nënshtrohen pastrimit të dhëmbëve (a ka ndonjë pasojë)?

Dr. Laura Mustafa: Pacientët me sëmundje ngjitëse trajtohen me pëlqim nga specialisti i cili përcjell gjendjen e tyre shëndetësore. Pastrimi dentar bëhet në mënyrë të sigurt gjatë shtatzënisë. Ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë shkaktojnë gjakderdhje dhe enjtje të mishrave të dhëmbëve. Andaj, gratë shtatzëna këshillohen të mbajnë higjienën orale me kujdes të shtuar dhe të bëjnë vizita të rregullta.

Vendisot.info: Nga përvoja juaj, sa i përket gjinisë, cila realizon vizita më të shpeshta? Ndërsa, nëse mundesh, edhe grupmoshat?

Dr. Laura Mustafa: Nga përvoja ime, sa i përket gjinisë, vizita më të shpeshta realizojnë pacientët e gjinisë femërore, grupmosha e mesme (30–50 vjeç).

Vendisot.info: A ka ndonjë mesazh që dëshironi t’u jepni njerëzve për rëndësinë e kujdesit ndaj mishit të dhëmbëve?

Dr. Laura Mustafa: Kujdesi për shëndetin fillon nga goja. Shumë sëmundje si sëmundjet e zemrës, sëmundjet e sistemit lokomotor, të veshkave, etj., shkaktohen nga mikroorganizma dhe alergjenë të vatrave orale. Shëndeti oral  nuk është i ndarë nga shëndeti juaj i përgjithshëm. Andaj, kujdesuni për të!/Vendisot.info/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *