LAJMET

Ahmeti: Humbësi duhet të tërhiqet, e jo fituesi, që është AKI-ja

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se nuk ka dalë humbës në zgjedhjet e fundit lokale të Maqedonisë së Veriut.

Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se humbës i këtyre zgjedhjeve ka dalë VLEN-i, partia tjetër e shqiptarëve në këtë vend.

“Pse duhet të tërhiqem nga gara? Kush ka fituar? Humbësi duhet të tërhiqet, e jo fituesi. A i doni dokumentet? Shkoni në KQZ dhe i verifikoni, dhe nëse verifikoni për 25 vjet një humbje të Ali Ahmetit, atëherë hajdeni dhe flasim”, ka thënë Ahmeti, raporton Klankosova.tv.

I njëjti theksoi se zgjedhjet në fjalë ishin sikurse sindroma i Gazimestanit, duke thënë se ishin më shumë politike.

“Duhet përshëndetur për ato mangësi që i ka pasur si proces, por si tërësi ka shkuar mirë. Çfarë më ka bërë përshtypje në këtë proces, si dhe në proceset që i lamë pas, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato presidenciale, është se edhe ky proces ka qenë më tepër politik sesa zgjedhje lokale, ku dominon sindroma e Gazimestanit: humbësi na del fitues”, ka thënë Ahmeti, duke marrë për referencë atë që Serbia e quan “Beteja e Kosovës”, e njohur si “Vidvdan”, betejë të cilën shteti fqinj e ka humbur më 1389 nga Perandoria Osmane.

Ahmeti theksoi se në këto zgjedhje AKI-ja ka marrë mbi 114 mijë vota dhe 159 këshilltarë. /Klankosova.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *