Avdyli i përgjigjet Gërvallës: Dorëheqja nga Guxo s’e rrezikon vendin tim në VV
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar publikisht ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, duke sqaruar pozicionin e tij pas dorëheqjes nga funksionet në partinë Guxo.
Përmes një sqarimi publik, Avdyli ka theksuar se dorëheqja e tij nga funksionet partiake në Guxo nuk paraqet pengesë për të qenë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje deri në përfundim të mandatit.
Ai ka theksuar se në Kuvendin e Kosovës ekziston vetëm grupi parlamentar i Vetëvendosjes, dhe jo një grup i përbashkët VV-Guxo, duke shtuar se edhe deputetë të tjerë nuk kanë qenë anëtarë formalë të partive, por megjithatë janë pjesë e grupit parlamentar.
Avdyli ka rikujtuar edhe përvojat politike nga viti 2020, kur bashkë me presidenten Vjosa Osmani kishin votuar kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti 1 dhe nuk kishin votuar Qeverinë Hoti, por kishin vazhduar të qëndronin në grupin parlamentar të LDK-së deri në zgjedhjet e vitit 2021.
