BE jep dritën jeshile për hapjen e Grup-Kapitullit të fundit me Shqipërinë
Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë dritën jeshile vijimit të negociatave me vendin tonë për hapjen e grupkapitullit të 5-të, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.
Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së. Konferenca e gjashtë ndërqeveritare do të mbahet në mesin e muajit shtator.
Në këtë konferencë do të hapet grupkapitulli i katërt i negociatave, ai për Agjendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme.
BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë që në muajin qershor të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grup kapitujsh.
Grupkapitulli 4 përfshin: transportin, rrjetet trans-evropiane, përmirësimin e infrastrukturës rrugore asaj hekurudhore si dhe sigurinë.
Po ashtu, trajtohen çështje që lidhen me sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Shqipëria synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar anëtarësim të plotë të vendit në 2030.
Përmes “Shqipëria 2030”, Rama është zotuar të përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2027 dhe të sigurojë anëtarësimin deri në fund të dekadës. Qeveria e Ramës ka reklamuar hapjen e 16 nga 35 kapitujve negociues që nga viti 2022.