Brenda Mureve të Burgut: Profesionalizmi dhe bashkëjetesa në Shërbimin Korrektues të Kosovës
Gazetare: Mihane Hoxha
Në një sistem që funksionon brenda rrethojave të hekurta, solidariteti, profesionalizmi dhe bashkëjetesa ndëretnike sfidojnë çdo paragjykim, raporton Vendisot.info
Motivimi dhe fillimet në ShKK
Zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) vijnë nga komunitete të ndryshme dhe me rrugë të ndryshme personale e profesionale.
Agim Tosuni, zyrtar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, i përket gjeneratës së parë të ShKK-së, dhe përmes emocioneve kujton momentin kur për herë të parë veshi uniformën që i përkiste një institucioni të Kosovës, pasi ai kishte pasur raste edhe kur kishte shërbyer në uniforma të tjera.
“Në të kaluarën kam qenë në uniformë – kam të kryer shkollën ushtarake në Sarajevë. Sapo është hapur konkursi për pranimin e kadetëve në ShKK, kam shprehur dëshirë me apliku dhe për fat të mirë jam pranu. Është ndjesi e veçantë të mbash mbi supe emblemën e shtetit tënd”, tha ai për Vendisot.info
Ndërsa, 39-vjeçari serb Srdjan Jovanoviq, nga Budriga Poshtme – komuna e Parteshit, tregon se motivi i tij për të shërbyer në Shërbimin Korrektues të Kosovës ishte të kontribuojë për shoqërinë në Kosovë dhe të sigurojë të ardhura financiare për familjen e tij.
“Gjuha shqipe më paraqiti sfidë në fillim, por tani flas dhe kuptoj shumë mirë – falë raporteve të mira që kam ndërtuar me kolegët shqiptarë. Familja më mbështeti, ndërsa shoqëria ime janë kureshtar për punën që bëj”, tregon Jovanoviq.
E për 35-vjeçarin A. M. nga komuniteti shqiptar dhe pjesë e ShKK-së që nga viti 2023, i cili aktualisht shërben në Burgun e Sigurisë së Lartë, kjo punë vlerësohet si profesion i qëndrueshëm dhe me ndikim në shoqëri.
Në anën tjetër, po në këtë burg, prej vitit 2019 shërben edhe Nemanja Milić, nga komuniteti serb, i cili ka treguar se këtë rrugëtim e ka zgjedhur për të përparuar profesionalisht dhe, me përgatitjet e tij, të kontribuojë për një shoqëri më të mirë.
Raportet ndëretnike dhe atmosfera në vendin e punës
Shërbimi Korrektues i Kosovës është një ndër institucionet publike ku bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve është funksional dhe i qëndrueshëm.
“Raportet me shqiptarët janë shumë të mira. Marrëdhëniet shkojnë përtej punës – jemi bërë miq të vërtetë. Kemi raste të shumta që dalim në kafe, bëjmë ftesa të ndërsjellta në ahengje familjare, shkojmë për ngushëllime etj.”, thotë Jovanoviq.
Edhe A. M. dhe Milić theksojnë se bashkëpunimi me kolegët nga komunitetet tjera është shumë i mirë, jo vetëm në nivel profesional, por edhe njerëzor.
Kurse, 63-vjeçari Tosuni mohon të ketë hasur situata të pakëndshme në vendin e punës. Përkundrazi, ai i vlerëson kolegët serbë.
“Nuk kemi hasur kurrë përplasje apo biseda tendencioze me kolegët serbë. Ata janë profesionistë dhe të përkushtuar. Sidomos për ne që flasim të dyja gjuhët (shqip e serbisht), edhe komunikimi është më i lehtë”.
“Për ne që jemi kohë të gjatë në këtë shërbim, jemi adaptuar me njëri-tjetrin. Gjendja emocionale është e përbashkët, pavarësisht që na paragjykojnë nga jashtë, sepse vet fjala ‘burg’ është e rëndë. Rrethojat dhe telat me gjemba të japin një ndjesi jo të mirë. Por, ne jemi këtu për të shërbyer, për të kontribuar në risocializimin e atyre që kanë kryer vepra të ndryshme, që pasi të dalin nga këtu, t’i bashkohen komunitetit”.
Këtë e ka konfirmuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili përmes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, bën vizita të rregullta në institucionet korrektuese.
“Nuk kemi pranuar ankesa për diskriminim etnik. Përkundrazi, bashkëpunimi ndërmjet kolegëve të komuniteteve të ndryshme është në nivel të lartë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të IAP-së, duke shtuar se nuk janë dhënë rekomandime specifike, pasi nuk ka pasur raste që kërkojnë ndërhyrje për marrëdhënie ndëretnike.
Edhe Zyra për Media e ShKK-së ka konfirmuar për Vendisot.info se nuk ka pasur ankesa të ndërlidhura me marrëdhëniet ndëretnike.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës është ndërtuar mbi vlerat e barazisë, respektit dhe bashkëpunimit. Diversiteti është një pasuri që e forcon institucionin”, thuhet në prononcimin e tyre.
Sfidat e përbashkëta në punën korrektuese
Pavarësisht bashkëpunimit të mirë, sfidat nuk mungojnë.
“Menaxhimi i të dënuarve me profile të ndryshme, përfshirë edhe ata me sfida të shëndetit mendor, është një sfidë e vazhdueshme. Po ashtu, kemi mungesë të stafit dhe ballafaqohemi me pajisje të vjetruara”, rrëfen gardiani A. M.
Tosuni dhe kolegët e tij theksojnë se, edhe pse puna është emocionale dhe shpesh e vështirë për shkak të natyrës së institucioneve korrektuese, ndihma dhe bashkëpunimi ndërmjet kolegëve është një faktor lehtësues.
Roli i grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës
Hasa Gucati, kryetare e Shoqatës së Gruas në ShKK, thekson se, “Misioni ynë është fuqizimi i rolit të gruas në këtë shërbim, promovimi i barazisë gjinore dhe përfshirja në vendimmarrje”.

Ajo pranon se interesimi i grave për t’u bërë pjesë e ShKK-së është më i ulët se ai i burrave, për shkak të perceptimit për rrezikshmërinë e punës – dhe ky shërbim më shumë shihet si ‘çështje burrash’. Po ashtu, nga komunitetet pakicë nuk ka interesim të madh.
“Përfshirja e grave në pozita vendimmarrëse ndihmon në ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve. Gratë janë bashkëpunuese dhe kontribuojnë në tejkalimin e dallimeve etnike e gjinore”.
Ajo shton se ekziston solidaritet ndërmjet grave, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë në punë dhe barazi gjinore, pavarësisht dallimeve etnike.
Shërbimi Korrektues i Kosovës – Një model për shoqërinë kosovare
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar punën më 28 nëntor të vitit 1999, fillimisht me hapjen e Qendrës së parë të Paraburgimit në Prizren, për të vazhduar pastaj me hapjen e qendrave të tjera korrektuese nëpër qytetet më të mëdha të vendit.
Aktualisht numëron rreth 1,685 të punësuar, ku 1,407 janë burra dhe 278 janë gra.
Po ashtu, bazuar në të dhënat e siguruara nga Zyra për Media e ShKK-së, krahas komunitetit shumicë (shqiptarëve), janë të punësuar edhe pakicat: 90 serbë, 25 boshnjakë, 3 turq, 8 romë, 1 kroat dhe 3 malazezë.
Ky institucion përfaqëson një shembull të rrallë të funksionimit profesional dhe harmonik ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Në një ambient pune të vështirë, zyrtarët nga komunitete të ndryshme, përmes profesionalizmit dhe solidaritetit, kanë ndërtuar ura bashkëpunimi që tejkalojnë çdo ndasi./Vendisot.info/