LAJMET

Çështja e moskonstituimit të Kuvendit mund të përfundojë sërish në Kushtetuese

Çështja e bllokimit në Kuvendin e Kosovës mund të përfundojë për herë të tretë në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse ekzistojnë dy aktgjykime për ngërçin parlamentar, në vendimin e fundit të këtij institucioni nuk përmenden pasojat juridike, nëse nuk ka konstituim brenda afatit 30 ditor.

Edhe pas dy seancave nga publikimi i aktgjykimit të plotë për këtë lëndë, deputetët nuk arritën të zgjedhin kryeparlamentarin dhe për pasojë, kjo situatë, mund t’i detyrojë ata të çojnë këtë çështje sërish në Kushtetuese

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha për Ekonomia Online se secili deputet dhe çdo parti politike duhet të japë maksimumin për të ndërmarrë veprime që të konstituohet Kuvendi dhe të hapet rruga për formimin e Qeverisë.

“Kjo është që secili deputet, secila parti politike do të duhej të bënte maksimumin e saj për të ndërmarrë veprime për konstituimin e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë. Por, kur ka mungesë të theksuar të lidershipit, vullnetit politik për zhbllokim dhe krejt resurset, krejt mundësitë shkojnë drejt bllokadës, atëherë në njëfarë mënyre sjellin në një situatë, ku jam i sigurt që nëse VV-ja brenda 30 ditësh nuk e konstituon Kuvendin mund të dërgohet lëndë e re në Gjykatën Kushtetuese, ku Kushtetuesja nuk do të ketë mundësi tjetër përveç se të shpjegojë tanimë abuzimin me të drejtën”, tha Miftaraj.

Ai paralajmëroi se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk propozon një kandidat për kryetar/e të Kuvendit që votohet nga partitë, partitë e tjera do të detyrohen, pas 20–25 ditësh, të ndërmarrin masa dhe të dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“…nëse shkojmë te data, te afatet kur kalojnë 20 ditë, 25 ditë dhe VV thjesht nuk ndërmerr veprime që të propozojë një kandidat që i merr votat në Kuvend, atëherë besoj që në ditët e fundit partitë politike, palët e autorizuara do të ndërmarrin masa dhe do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese. Por nuk dua të besoj, ne duhet të shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.

Ndërkaq, analistja politike, Afërdita Maliqi, tha se dy aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese japin mundësi të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit.

“Ndoshta po them që Gjykata Kushtetuese ka menduar që ka mjaftueshëm kohë që deputetët të kryejnë përgjegjësitë që i ka marrë VV-ja, të cilës i takon se ka dalë e para në zgjedhje dhe sipas aktvendimit të vitit 2015, e ka të drejtën e propozimit. Por, duke parë që VV-ja ka filluar me skenarin e ri bllokues dhe unë mendoj që VV-ja do të vazhdojë të bllokojë se e ka logjikën e bllokimit”, tha ajo.

Maliqi shtoi se nëse nuk ka vullnet politik për të zgjidhur çështjen e kryetarit të Kuvendit duhet të arrihet kompromis me ndonjë parti tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *