Ish ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka folur rreth deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, ku tha se do t’i kthehet përsëri çështjes Kosovë-Serbi.
Dedaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se Kurti, Osmani dhe Gërvlla gjatë këtij mandati kanë dëmtuar dhe rrezikuar alenacën me ShBA, ku shton se kanë rrezikuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.
“SHBA ishin dhe do mbeten partneri dhe aleati më besnik dhe më i përkushtuar i shtetit të Kosovës, para , gjatē dhe pasluftës në Kosovë. Fatkeqësisht regjimi populist Kurti, Osmani dhe Gërvalla, gjatë ketij mandati e dëmtuan dhe e rrezikuan aleancen me SHBA, kështu e rrezikuan paqën, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon, me politika diletante, të papërgjegjëshme dhe cinike. Regjimi në ikje disa herë e ka provokuar sigurinë në pjesën veriore të Mitrovicë, pa u koordinuar me KFOR-in dhe SHBA e BE, gjë e cila ka mundur për të sjellur eskalim ndëretnik, sepse Serbia është gjithnjë e interesuar dhe aktive për të rrezikuar paqën dhe vetë Republikën e Kosovës”, tha ai.
Tutje ai thekson se Kosova nuk mund të ketë stabilitet, progres dhe integrim euroatlantik pa ShBA dhe BE.
“Prandaj regjimi Kurti ka bërë gabime kryeneqe nê hapa dhe pa konsultime paraprake me Uashingtonin dhe Brukselin, për efekte politike dhe elektorale, duke mos menduar se Kosova është shumë më e rëndësishme se cilido institucion,subjekt politik, klan apo individ i Kosovës! Treshi përgjegjës për politikë të jashtme, Kurti, Osmani dhe Gërvalla, si miop politik, janë sjellur me papërgjegjësi ndaj partnerëve të Kosovës, me politikat e tyre infantile, anarkiste dhe primitive ballkanike.Kosova nuk mund të ketë stabilitet, progres dhe integrim Euroatlantik pa SHBA dhe BE. Përndryshe duhet të jeni të çmendur dhe me probleme psiqike, nese dikush mendon se Kosova mund të ekzistoj pa partner dhe pa miq”, theksoi ai.
Dedaj tutje shton se largimi i Albin Kurtit nga pushteti, do të jetë një hap historik për rikooperimin dhe rivendsojen e bashkëpunimit me ShBA dhe Administratën e presidentit Trump.
“Lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, sikur edhe lufta në Kosovë tregojnë rëndësinë vendimtare të miqëve dhe aletatëve në raste konfliktesh dhe lufte. Shkelqësia e Tij, presidenti i SHBA Donald Trump, s’do mend se do të angazhohet për të përmbyllur çështjen e problemeve aktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë,si dy vende fqinje. Mendoj se largimi i Albin Kurtit nga pushteti, është një hap historik për rikooperimin dhe rivendosjen e bashkepunimit me SHBA dhe Administraten e presidentit Trump, e cila do ti hapë rrugë stabilitetit në rajon, progresit, daljes nga izolimi dhe sanksionet si dhe perspektives Europiane dhe integrimit Euroatlantik të Kosovës”, përfundoi ai për GazetaBlic.