Denoncimi i Berishës: Si abuzuan komisionerët në zgjedhjet e 11 majit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar denoncimet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Nga selia blu, ai publikoi rreth 6 video të marra nga qendrat e votimit, ku shfaqet abuzim me fletët e votimit.
Berisha akuzoi komisionerët dhe disa figura të tjera për falsifikim votash dhe për mosveprim nga SPAK-u ndaj këtyre veprimeve ndërsa në një nga videot duket një komisioner që nxjerr fletën nga kutia e votimit dhe e rifut përsëri, pasi ka parë për kë ka votuar qytetari.
“Unë kam zgjedhur 6 video nga 60, 600, apo 6000 që mund të paraqisja sot në këtë sallë. Ky është komisioneri, tani do kontrollojë votën. Shikojeni se çfarë bën. A e keni parë ndonjëherë këtë? Ky fut dorën e zezë në kuti, nxjerr votën që ka votuar qytetari dhe e kontrollon, sepse ai po zbaton porosinë e Edi Ramës dhe ka mbrojtjen e Altin “Troplinit”. Tani qetësohet. U zbulua se si ka votuar personi për të cilin ai është porositur. I ka marrë paratë personi, prandaj do kontrollohet nëse i meritoi paratë apo jo. Merr fletën e votimit dhe e shoqëron në dhomën e errët, për t’u siguruar për votën e tij. Ka kontroll më policor dhe më të poshtër të votës se ky? Komisioneri kriminel, pasi kreu misionin, kthehet në karrigen e detyrës”, tha Berisha.
“Tani këtu kemi moment tjetër. Merr dy fletë votimi. Shikojeni. Ky me dy është lule, po ka me katër. Një, dy, pra me dy fletë votimi. Është paguar dy herë, ka marrë dyfishin. Tani, prapë Treni Bullgar këtu. Vazhdo i thotë ky tjetri këtu. Bën sikur e fsheh, tani e nxjerr përsëri jashtë. Ja! Ky sjell fletë votimi nga jashtë. Shikojeni! Pra, ai është votues profesionist, plotëson katër fletë aty pa ID, pa asgjë. Të gjithë këta mbrohen nga Altin Troplini dhe banda e tij. Tani një, dy fletë votimi. Ky është fytyra e vërtetë e votimit të 11 Majit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, tani është radha e qytetarëve të reagojnë.