LAJMET

Dërgohen email-a të rremë si “thirrje gjyqësore”, Policia e Kosovës nis hetimet, thirrje qytetarëve të mos mashtrohen

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare, false dhe të rreme, që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se e-mailat e emërtuar si “thirrje gjyqësore” të lëshuara kinse nga institucionet e sigurisë së Kosovës nuk janë të dokumente zyrtare dhe s’janë lëshuar nga Policia e Kosovës.

“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

https://www.facebook.com/share/p/19ZJ4QjW2n/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *