Dëshmitari Nedelkoviq në rastin Banjska: Radoiçiq vetë e ka pranuar, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin
Rade Nedelkoviq, roje në hotelin “Ranska Banja” dhe banor i fshatit Banjskë, tha në dëshminë e tij në seancën gjyqësore të së martës për rastin Banjskë se Milan Radoiçiq ka qenë organizatori i sulmit dhe se këtë, sipas tij, e ka pranuar vetë Radoiçiqi.
“Po, ai vetë e ka pranuar, çfarë do që mendoj unë, ai vetë e ka marrë përgjegjësinë. Por ka mundësi”, tha dëshmitari para trupit gjykues.
Nedelkoviq rrëfeu se jeton në fshatin Banjskë qe 60 vjet dhe se mëngjesin e 24 shtatorit ka parë persona me uniforma pranë hotelit ku punon si roje. Ai tha se i ka paralajmëruar ata të largohen nga tarraca.
“Vetura nuk kam parë, por kam parë disa prej tyre të uniformuar, i kam paralajmëruar që të largohen nga tarraca e hotelit ‘Rashka Banjska’. Ata kanë qenë te ura atje, mundet dikush t’i vret, kanë ardhur aty, i ka urdhëruar, pastaj janë larguar”, tha ai.
Gjatë pyetjeve të Prokurorit të Shtetit, Naim Abazi, dëshmitari tha se një person i plagosur kishte mbetur për të fjetur në një dhomë të hotelit, por se nuk e di çfarë ka ndodhur më pas.
“Ka mbetur që të flejë në një dhomë. Unë të nesërmen kam shkuar në shtëpi dhe çka ka ndodhur nuk e di”, u përgjigj ai.
Prokurori e pyeti edhe për deklaratën e tij ku kishte përmendur se disa persona e kishin dorëzuar të plagosurin dhe më pas ishin nisur në drejtim të manastirit.
“Ata kanë shkuar në këmbë nëpër shkallë”, tha dëshmitari.
Më tej, dëshmitari pohoi se personin e plagosur e kishte strehuar në hotel pasi kishte marrë një telefonatë nga shefi i tij, Ivan Filimonoviq.
“Nuk është që më ka urdhëruar, por më ka thënë që t’ia jap dhomën numër 6”, tha ai.
I pyetur për evidencën e mysafirëve, dëshmitari tha:
“Lista mbetet tek ata, e kanë librin ku mbajnë evidencë të mysafirëve, sa ditë qëndrojnë aty.”
Ai u pyet edhe për emrin “Sliviq” që kishte përmendur më herët në deklaratë.
“Nuk e njoh”, u përgjigj ai, por kur u pyet nëse djali i tij ka marrë pjesë në sulm, tha:
“Nuk e di a ka marrë pjesë, pasi ka qenë atje me siguri po”.
Në lidhje me personat e tjerë që kishte përmendur si të përfshirë në sulm, dëshmitari tha se nuk i ka njohur se kanë pasur maska.
“Nuk e di, ata kanë pasur maska, nuk mund t’ju them se kush ka qenë me të vërtetë. Vlastimir Andriq ndoshta. Nuk më kujtohet që i kam përmendur ata, sepse as nuk i kam parë ata”.
Sa i përket Milan Radoiçiqit, dëshmitari tha se nuk e njeh personalisht, por ka dëgjuar për të.
“Vetëm kam dëgjuar për atë, kurrë s’e kam parë”, tha ai.
I pyetur nëse Radoiçiq ka qenë ndonjëherë në hotel, dëshmitari tha se ka qenë.
“Mendoj që një herë ka qenë, më tepër nuk di. Sepse ai edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe”.
Kur prokurori e pyeti nëse mendon që Radoiçiq ka qenë organizator i sulmit, dëshmitari u përgjigj se ai vetë e ka pranuar se ka qenë organizator.
“Po, ai vetë e ka pranuar, çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka marrë përgjegjësinë. Por, ka mundësi”.
“Çka me pyetni kur ju e dini kush janë. Milan Radoiçiq nuk do të guxonte vetë ta bënte këtë gjë. Çka kam deklaruar, ashtu ka ndodhur (në deklaratën e dhënë në polici). Gjithë ata që kanë qenë në dhoma janë sjellë rreth dritareve dhe ju kam thënë largohuni nga dritaret, sepse dikush mund t’ju gjuaj nga dritaret. Ashtu që ata më kanë dëgjuar dhe janë ulur… Kam dëgjuar gjuajtje me armë, asgjë tjetër. Kam thirrur në shtëpi vajzën time, sepse ajo ka katër fëmijë, se në çfarë gjendje janë, dhe e kam thirrur ruajtësen, sepse ajo ka qenë vetë në shtëpi. Unë nuk jam frikuar shumë nga këto gjuajtje, sepse një herë vdes njeriu”, tha dëshmitari./EO