Dhoma e Tregtisë i drejtohet Presidentes Osmani për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë në lidhje me mos reagimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), pas aktgjykimit të datës 29 korrik të këtij viti, të nxjerrë nga Gjykata Komerciale.
Bazuar në pikën 2 dhe 4 të këtij aktgjykimi, DhTIK thotë se ka pritur një veprim konkret nga ana ZRrE-së, por deri më tani nga kjo e fundit nuk ka pasur një njoftim për hapat e mëtejshëm.
Sipas këtij institucioni, kompanitë që nuk kanë nënshkruar kontratë, nuk kanë asnjë informacion se nga kush po furnizohen me energji elektrike dhe kujt duhet t’i përgjigjen në fund të muajit kur t’u vjen fatura.
“Ne vlerësojmë se pas këtij aktgjykimi, nuk ka më vend për vazhdim të Liberalizimit të Tregut të Energjisë. Me këtë rast, DhTIK i është drejtuar edhe njëherë ZRrE-së me kërkesën që pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë dhe të nis menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit”, ka thënë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.
Prandaj, në mungesë të reagimit nga institucionet përgjegjëse, DhTIK tha se i është drejtuar me një kërkesë urgjente edhe Presidentes Vjosa Osmani.
DhTIK thekson se qysh nga marsi, kur kanë marrë informatën për nisje të këtij procesi përmes mediave, “kemi ofruar bashkëpunimin e plotë për të gjitha institucionet, pasi në nuk kemi qenë dhe nuk jemi kundër procesit, por kundër formës së zgjedhur për ta bërë atë”. /Klankosova.tv