Dy persona arrestohen për “vjedhje të rëndë” në Mitrovicë të Veriut
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë” në Mitrovicë të Veriut.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:50, në rrugën “Dervarska”. Sipas kallëzimit të pronarit, dy persona kishin hyrë me forcë në lokalin e tij dhe kishin vjedhur një shumë parash. Njërin prej tyre e ndaluan punëtorët e sigurimit fizik, ndërsa i dyti arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve hetimore, policia lokalizoi dhe arrestoi edhe të dyshuarin e dytë. Në pranga ranë K.C. (28 vjeç) dhe Z.M. (42 vjeç), tek të cilët u gjet dhe sekuestrua një shumë parash që dyshohet se lidhet me rastin.
Nga hetimet e para dyshohet se të njëjtit mund të jenë të përfshirë edhe në dy vjedhje të tjera të ndodhura ditëve të fundit, ndërsa njëri prej tyre ka pranuar përfshirjen gjatë intervistimit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dy personat janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe kapjen e personave që kryejnë ose tentojnë të kryejnë vepra penale.
