Dy shoferë e pësojnë keq, iu merret patentë-shoferi për tre muaj
Policia e Ferizajt, ka njoftuar se ka marrë masa ndaj dy shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik, konkretisht tejkalimin e shpejtësisë.
Të dyja rastet kishin ndodhur mbrëmë rreth orës 20:10, në rrugën tranzit Shtime – Belincë.
Në rastin e parë, shoferi B.G. (42 vjeç), duke drejtuar një veturë të tipit Volvo me targa të huaja, është kapur duke zhvilluar shpejtësi 118 km/h në një zonë me kufizim 60 km/h.
Ndaj të njëjtit, është shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh dhe masa e ndalimit të drejtimit të mjetit për 3 muaj në territorin e Republikës së Kosovës.
Derisa në të dytin, shoferi F.M. (53 vjeç), me veturë të tipit Audi me targa vendore, është kapur duke qarkulluar me shpejtësi 121 km/h në të njëjtën zonë.
Ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative, si dhe masa e ndalimit të mjetit për 3 muaj.
“Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, për të kontribuar në sigurinë e përgjithshme rrugore dhe për të shmangur aksidentet”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizajt.
Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje të ligjit përmes:
192 ,0290/326-250,
0290/322-406, “Lajmëro Policinë” (në aplikacionin Digjital)
Të gjitha informacionet trajtohen në mënyrë tërësisht konfidenciale.