LAJMET

E dërguara speciale britanike: Në Marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit ka ide të mira, duhen zbatuar

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka folur për raportet Kosovë-Serbi, duke thënë se nuk nevojitet qasje krejtësisht e re apo përgjigje magjike që do të ofronte zgjidhje për këtë çështje.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, prej pranverës së vitit 2023 kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, takimet e nivelit të lartë kanë qenë të pakta.

Për Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Brukselit, Pierce u shpreh se në to ka ide të mira dhe se duhet të zbatohen.

“Është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të zbatohen – në Marrëveshjen e Brukselit dhe në atë të Ohrit tashmë ka ide shumë të mira, thjesht duhet të implementohen”.

“Këto nuk janë marrëveshje teorike, por merren me çështje shumë praktike si liria e lëvizjes, qasja, pjesëmarrja dhe ne duam t’i inkurajojmë politikanët nga të dyja palët që t’i ndihmojnë njerëzit dhe komunitetet në këtë mënyrë”, tha Pierce për BBC në gjuhën serbe, transmeton Klankosova.tv.

Ajo po ashtu ka folur edhe për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku tha se janë të shqetësuar për veprimet e disa prej liderëve të Republika Sërpskas.

“Për këtë arsye, do t’u bëjmë apel miqve tanë në Serbi që të ndihmojnë Bosnjën dhe Hercegovinën të ecë përpara – e kjo do të thotë që të mos mbështesin tendencat separatiste në Republikën Sërpska”,  tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *