LAJMET

Gjendet 7-vjeçari nga Kosova, kishte humbur në plazhin e Shëngjinit

Një fëmijë nga Kosova është gjetur falë policisë në Shqipëri dhe vrojtuesve bregdetarë pasi kishte humbur në plazhin e Shëngjinit.

Sipas njoftimit të policisë, fëmija 7-vjeçar i është dorëzuar familjes në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai ishte larguar nga prindërit, por për fat të mirë falë reagimit të shpejtë dhe pas rreth një orë kërkimesh intensive në terren, i mituri ishte lokalizuar.

“Reagimi i menjëhershëm i Policisë dhe i vrojtuesve bregdetarë bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit. Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 7-vjeçar nga Kosova. Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Rendit të planifikuara me shërbim në zonën e plazhit në Shëngjin, së bashku me patrullat me biçikleta dhe vrojtuesit bregdetarë, u angazhuan dhe koordinuan veprimet për gjetjen e fëmijës. Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij. Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit bregdetarë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit”, thuhet në postimin e Policisë së Shtetit.

https://www.facebook.com/share/v/1J8k3FgWTG/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *