Hargreaves: Kosova është në një krizë serioze
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se Kosova po kalon një krizë serioze politike që e bën të vështirë marrjen e vendimeve kyçe.
Ai në një intervistë për radion serbe “Gorazhdevc” theksoi nevojën urgjente nevojën urgjente për formimin e një qeverie funksionale, e cila do të jetë në gjendje të marrë vendime kyçe për të ardhmen e Kosovës.
“Kjo është një krizë, dhe jo vetëm politike. Unë besoj se ky është një moment shumë serioz për Kosovën”, tha i dërguari i Britanisë në Kosovë.
“Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri dhe parlament të formuar siç duhet, të aftë për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me vendin e Kosovës në botë dhe për fondet që aktualisht ndodhen në parlament, duke pritur të miratohen. Këto fonde nuk mund të përdoren aktualisht dhe Kosova rrezikon t’i humbasë ato”, shtoi Hargreaves.
Duke iu referuar rolit të Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e bllokadës politike, ambasadori shprehu optimizëm të moderuar, por gjithashtu theksoi faktin se nevojitet vullnet politik.
“Mendoj se jemi ende në fazën e shpresës se Gjykata Kushtetuese do ta zgjidhë këtë çështje. Por në fund të fundit, kjo duhet të zgjidhet politikisht – me kompromis midis partive politike. Kjo është rrënja e problemit. Kushtetuta dhe ligji mund të ofrojnë një kornizë, por u takon palëve të bien dakord se si të vazhdojnë”, tha ai.