LAJMET

Hasani shpërthen ndaj Osmanit: E përdori Kushtetuesen për qëllime politike, kërkesa ishte fiktive dhe antikushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar deklaratat e presidentes Vjosa Osmani lidhur me gjyqtarin e Kushtetueses, Radomir Llaban, duke e quajtur veprimin e saj një ndërhyrje të paprecedentë dhe me pasoja serioze për stabilitetin institucional.

Në një intervistë për Euronews Albania, Hasani deklaroi se kërkesa e bërë nga Presidentja në Kushtetuese, e tërhequr më pas nga vetë ajo me arsyetimin se Llaban përbën rrezik për sigurinë kombëtare, ishte e pabazuar dhe e qëllimshme për të bllokuar funksionimin e Gjykatës.

“Zonja Osmani dje mori një hap shumë të shëmtuar që unë jam i bindur që do të jetë një njollë e keqe për historinë e institucioneve të Kosovës në të ardhmen, për faktin se detyrë e saj është ruajtja e stabilitetit të institucioneve. Çfarë ndodhi është e kundërta,” theksoi Hasani.

Sipas tij, qëllimi i vërtetë pas tërheqjes së kërkesës ishte të paralizonte vendimmarrjen në Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht në lidhje me ngërçin institucional për konstituimin e qeverisë.

“Osmani dje dha një arsyetim që ka për qëllim primar bllokimin ose paralizimin e vendimmarrjes së Kushtetueses, jo në rastin e saj por në rastin e ngërçit institucional lidhur me konstituimin e Kosovës. Kërkesa e saj ka qenë naive, e pabazuar, e pathemeltë,” shtoi Hasani.

Ai e cilësoi si një “kërkesë fiktive” veprimin e presidencës, duke theksuar se nëse ka pasur dyshime për Llabanin, nuk duhej të ishte paraqitur fare kërkesa.

“Ato që i ka thënë zonja Osmani kanë qenë valide edhe para një muaji. Nuk është dashur ta paraqesë kërkesën fare, sepse gjyqtari raportues ka rol formal për të përgatitur një raport. Në 70-80% të rasteve, raportet e gjyqtarëve ndryshohen”, argumentoi ai.

Hasani shkoi më tej, duke thënë se tërheqja e lëndës është një akt antikushtetues nga ana e Presidentes.

“Është antikushtetuese sepse detyrë e saj është të ruajë dhe garantojë stabilitetin e institucioneve,” u shpreh ai.

Ndër të tjera, Hasani theksoi se Presidentja është dashur të paraqesë kërkesë për përbërjen e kabinetit qeveritar, pasi disa ministra po ushtrojnë njëkohësisht edhe funksionin e deputetit, një shkelje kushtetuese, sipas tij.

“Kur kryeministri dhe ministrat janë njëkohësisht deputetë dhe bartës të funksionit të ekzekutivit, është tërësisht antikushtetuese. Kjo ka qenë detyrë e saj”, shtoi Hasani.

Sa i përket akuzave ndaj gjyqtarit Radomir Llaban, i cili ishte caktuar si gjyqtar raportues për çështjen e Presidentes, Hasani tha se nëse ai ka cenuar rendin kushtetues, atëherë çdo vendim ku ai ka marrë pjesë duhet të anulohet, gjë që nuk mund të ndodhë.

“Në bazë të kërkesës së hartuar nga Osmani, nuk mund të dëshmohet se është cenuar rendi kushtetues. Nëse po, atëherë duhet anuluar çdo vendim ku ai ka qenë anëtar. Ajo nuk mund ta bëjë këtë. Pikërisht mënyra e veprimit të saj është shkatërrim i rendit kushtetues”, theksoi Hasani.

Duke komentuar faktin që Llaban është dënuar më herët në Serbi, Hasani u shpreh se vendimet e gjykatave serbe nuk kanë asnjë fuqi juridike në territorin e Kosovës.

“Është turpi më i madh që institucionet e Kosovës të vihen në mbrojtje të vendimeve të gjykatave serbe”, tha ai.

Në fund, Hasani paralajmëroi se Gjykata Kushtetuese do të bënte një gabim të madh nëse do të merrte seriozisht një akuzë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *