Homazhet në nderim të viktimave të 11 shtatorit, Osmani: Kosova me krenari qëndron krah ShBA-së
Krerët e shtetit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti si dhe kryetari i zgjedhur i Kuvendit Dimal Basha, kanë bërë homazhe në nderim të viktimave, të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në ShBA.
Osmani para mediave tha se Kosova me krenari qëndron krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Jo vetëm në kujtim dhe nderim të viktimave, por për ta luftuar në mënyrë efektive terrorizmin kudo që ndodh ai. Jemi krenarë që jemi partnerë të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet që dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë tonë” deklaroi ajo.
Sot janë bërë 24 vjet nga këto sulme, si pasojë e të cilës afro 3 mijë persona humbën jetën.