I akuzuari mohon përfshirjen në rastin e 400 kg kokainë: Jam punëtor, s’kam pasur detyrë për verifikimin e mallit
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar mbrojtja e të akuzuarit Kadri Brahimi, në rastin e 400 kilogramëve kokainë të fshehur në produkte të importuara përmes kompanisë “MC Food”.
Brahimi ka deklaruar se punon në këtë kompani që nga viti 2012 si deponist dhe se nuk ka pasur ndonjë detyrë që lidhet me kontrollimin apo verifikimin e produkteve.
“Afrona te kamioni me pa a ka pasur shkrirje apo ngrirje. Nëse është gjithçka në rregull e fillojmë shkarkimin. Kqyret data e prodhimit, marrim produktin dhe klasifikohet në bazë të kodeve. Nëse është në rregull gjithçka, fillojnë punëtorët që me marrë brenda dhe me palu. Kur të verifikohet që është në gjendje të rregullt…”, tha ai.
I pyetur nga avokati mbrojtës Driton Musliu se pse në video shihet duke zbarkuar mallin nga kontejneri dhe duke vendosur disa paleta në anë të ndryshme, Brahimi u përgjigj”: E lyp procedura, se janë dy lloje barkodash, 82 dhe 101, nuk guxon me u përzi”.
Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për ngarkimin e menjëhershëm të mallrave pa verifikim paraprak.
“Jo, nuk guxon me u ngarku pa u verifiku paraprakisht. Nëse e bën, e çrregullon tregun, sepse ka afat tre muaj ditë. Të njëjtat klasifikohen dhe kanë vendin e njëjtë”, tha ai.
Duke u përgjigjur për pretendimet se në disa raste kishte raportuar mungesë të mallit, Brahimi deklaroi se gjithmonë kishte njoftuar eprorët e tij.
“Nëse një mall zbrazet e nuk ka, nuk guxojmë me nënshkru nëse ka minus mall, sepse atëherë i bie që unë kam vjedhur. Në çdo rast që kam vërejtur ndonjë parregullsi, unë i kam njoftuar eprorët e mi”, tha ai.
Në pyetjet e avokatit për mënyrën e funksionimit të depos, Brahimi sqaroi se aty kanë punuar disa persona, ndërsa mallrat janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
“Jo, unë nuk e kam obligim me hy. Janë dy par punëtorë që punojnë aty. Një palë merren me referimin e porosive, ndërsa dy të tjerë bëjnë transportin. Me sa e keni parë videon, janë dy koridore. Që nga viti 2012 aty është shkarkuar malli. Një koridor shkarkohet malli, ndërsa në një tjetër ngarkohet malli. Aty ku bëhet ngarkimi i mallit janë tri kamera. Punëtorët nuk kanë asnjë kufizim, mund të lëvizin kudo nëpër kompani”, tha ai.
Në lidhje me akuzën se gjatë shkarkimit kishte ndarë paletën me substancë narkotike për të shmangur identifikimin, Brahimi tha se nuk është e vërtetë.
“Jo, nuk është e vërtetë. Edhe kur e patë në video, janë proceduar e njëjta. Nga viti 2015 që unë e kam marrë punën, çdo ditë e punës ka qenë e njëjtë. Kamerat kanë qenë aty dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Unë jam i vetmi person që kam pasur çelësin dhe kodin e alarmit të depos. Po flas vetëm për pjesën ku kam qenë unë”, tha ai.
Ai theksoi se nuk ekziston ndonjë hapësirë në depo ku nuk ka mbikëqyrje me kamera.
“Jo, nuk ka vend tjetër dhe vendi i vetëm është nën monitorimin e kamerave. As nuk bëhet shkarkim e as ngarkim pa vëzhgim të kamerave”, tha ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse i kishte rezistuar arrestimit, Brahimi tha se nuk ka rezistuar, por pas arrestimit është rrahur “si qeni” nga policia.
“Jo, prej kur më kanë urdhëruar policia, por më kanë rrahur si qen me duar të lidhura. Shihet edhe në kamera”, tha ai.
I akuzuari sqaroi se kishte dorëzuar disa fotografi për t’i treguar gjykatës kushtet e tij të rënda ekonomike.
“Unë kam dashur t’ju tregoj se unë nuk jam kriminel, e kam qit në foto shtëpinë time, se unë nuk kam shtëpi, kushtet i kam tepër të rënda. Nga para lufta deri më 17 kur e kam bërë instalimin e ujit, unë jam larë në një metër katror. I kam tri fusha anash, unë jam në rrezik që të rrëzohet shtëpia, nuk e di sa keni vërejtur,” tha ai./eo
